Burri nga Malisheva ‘merr hak’ ndaj 12-vjeçarit pasi ia kishte rrahur djalin
Zënkat mes fëmijëve dinë të shkaktojnë telashe edhe te të rriturit, të cilët vendosin të përfshihen dhe t’u dalin atyre në krahë. Në shumë raste, prindërit ‘marrin hak’ duke ofenduar e sulmuar fizikisht bashkëmoshatarët e fëmijëve të tyre.
Dy fëmijë të cilët u përleshën mes vete në afërsi të shkollës fillore të fshatit Kervasari në Malishevë, u bënë shkak që babai i njërit prej tyre të sulmojë fizikisht një të mitur.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në fillim të muajit, kur i dyshuari 55-vjeçar kishte rrahur një fëmijë 12-vjeçar.
Kjo ka bërë që babai i fëmijës të kërkojë ndihmën e Policisë, duke rrëfyer para hetuesve gjithë atë që ka ndodhur.
Policia ka arritur që të arrestojë të dyshuarin, i cili ka pranuar gjatë intervistimit se e ka sulmuar fizikisht të miturin, duke e goditur me shuplaka. Sipas tij, e gjithë kjo ka ndodhur për shkak se djali i tij dhe viktima ishin rrahur mes vete.
I mituri ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

