Kush po u lakmon dëshmorëve të Prekazit, sipas hoxhës Bashkim Bajrami?

Imami i xhamisë së Dheut të Bardhë në Gjilan, Bashkim Bajrami, në një shkrim autorial, ka pyetur se sa shumë komandantë e eprorë të UÇK’së do të donin të ishin në vend të dëshmorëve të Prekazit, transmeton Mediafokus.info.

Ja shkrimi i plotë i imamit Bashkim Bajrami:

Allahu me urtësinë e Tij, i mori shpirtat e familjes Jashari me 5, 6 e 7 mars 1998. Ata sakrifikuan i madh e i vogël prej babës Shaban, nënës Zahide e djemt Hamëz e Adem Jashari me gra e fëmijë, jo vetëm pasurinë por edhe gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre duke ja drejtuar pushkën sërbit, armikut të përbetuar të shqiptarëve, vetëm për ta mbrojtur këtë vend dhe për të jetuar të lirë .

Allahu ua dëshiroi të mirën dhe i nderoi, vdiqën faqe e bardhë, të respektuar jo vetëm në trojet shqiptare por edhe përtej, nuk mbet cep i botës pa e përmendur heroizmin e kësaj familje.

Sa komandantë e eprorë thonë tani: “Ah sikur të kisha vdekur në betejë e mos të isha koritur pas lufte, me haraq e krim, luks për vete, për nipa e mbesa; sa paranë e lash në banka jashtë Kosovës, sa dëmin ja bëra këtij vendi në emër të UÇK-së…

A thua pas vdekjes si do të më përmendin mua?

Si i lash shokët e luftës në skamje e une në pallate luksoze?

Si t’i takoj fëmijët e shokëve që ranë dëshmorë që ndoshta vuajnë për gjërat elementare?

Si nuk ua hapa derën asnjëherë t’i vizitojë këto familje?

Ku mbetën shokët e idealit që i takoj vetëm për zgjedhje?

A thua çka do të shkruajë historia për mua ?

Ah sikur të isha i vdekur e mos ta vidhja popullin tim!

Ah sikur të isha i vdekur e ta kisha historinë e bujshme si familja Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani e shumë trima tjerë.

A thua a jam ai komandant që luftova për liri apo për përfitime personale?! Pse e prisha njetin?!!

Ndërsa unë e pyes secilin prej tyre: a ke thënë vallë?

Nëse nuk do thuash sot, do e thuash nesër, pasi të vdesësh, por atëherë do jetë shumë vonë!

Andaj, nëse s’mund ta ndryshosh të kaluarën, mund ta ndryshosh atë që të ka mbet, e ta fal Allahu atë që ka ikur.

/MediaFokus/