Caktohet masa e sigurisë ndaj dy të pandehurve për narkotikë
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve Sh. I. dhe F. A.
Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 04.12.2021 rreth orës 14:50 minuta, me rastin e bastisjes nga Policia e Kosovës, në banesën e marrë me qira nga i pandehuri Sh. I., në Gjilan, janë gjetur një peshore digjitale dhe 5 paketime me substancë narkotike të llojit heroinë me peshë prej 30.6 gramë.
Po ashtu, në të njëjtën ditë, me rastin e bastisjes së kryer në shtëpinë e të pandehurit F. A., janë gjetur një peshore digjitale dhe 17 qese – paketime me substancë narkotike, e llojit heroinë, me peshë prej 1 kg e 713.8 gramë, të cilat i pandehuri Sh. I., ia kishte lënë për t’i shitur të pandehurit F. A., në mënyrë që të fitojë nga shtija e substancës narkotike.
Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale në bashkëveprim ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur, meqë masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

