Kush është i riu që e bëri ‘kahre’ stafin e studentët e kolegjit privat në Gjilan

Një ngjarje jo fort e zakontë ka ndodhur dje në objektin e një kolegji privat në Gjilan, ku stafi, duke përfshirë edhe studentët janë përballur me një person, i cili papritmas ka hyrë në hapësirat e kolegjit, duke u shkaktuar frikë dhe shqetësim me sjelljet e tij.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Kolegjin “Fama”, në fshatin Koretishtë të Komunës së Gjilanit dhe kanë dhënë detaje për rastin, në të cilin u desh intervenimi i Policisë.

Si ndodhi rasti?

Sinjali mëson se dje në orët e pasdites, një 31-vjeçar kishte hyrë brenda objektit të kolegjit dhe me një aparat për fikjen e zjarrit ka thyer e dëmtuar gjithçka që i ka dalë përpara, përfshirë xhama, karrige e dyer.

Veprimet e tij të dhunshme kanë shqetësuar stafin e kolegjit, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë.

Intervenimi i njësiteve policore ka qenë i menjëhershëm, të cilët kanë hasur në rezistencë tek i dyshuari gjatë arrestimit, me ç’rast një polic ka marrë lëndime trupore.

31-vjeçari i dyshuar është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dëmtim ose asgjësim i pronës’ dhe ‘Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’.

Me vendim të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se personi që ra në prangat e Policisë është Burim Sylejmani 31-vjeçar.

Sylejmani është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dëmtim ose asgjësim i pronës’ dhe ‘Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’.

Me vendim të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.