I caktohet masa e sigurisë një të pandehuri për organizimin e lojërave të fatit

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit A. Th.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, prej muajit qershor 2019 deri më 18 shtator 2020, në mënyrë të vazhdueshme, në lokalin “Rojall” në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë të komunës së Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për përsonin tjetër dhe në kundërshtim me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit 06/L-155, ka bërë organizimin e lojërave të cilat janë të ndaluara me ligj.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale, thuhet në njoftimin e Gjykatës.