Çare, m’sa pa dekë, nuk e patëm pa u çue…

Hasan Bunjaku

E tërë familja e Demirovitëve të Bunjakëve të Desivojcës, por jo vetëm ata, ditëve të fundit, ishin në njëfarë ankthi: a po mujm me shkue n’Turkije a jo?

Kur po shkohet? Si po shkohet? Ku po shkohet? – ishin pytje që ngelnin aty për aty pa përgjigje, sepse vërtet, asgjë ende nuk ishte e qartë, sepse as koha e as sistemet shoqërore nuk lejonin: as në Mbretërinë e Jugosllavisë, e as në atë të Turqisë gjërat kurrë nuk ishin “fikse” – sakaq, çdo gjë ndërronte, dhe ishte e vështirë edhe t’ia qëlloje, por edhe të planifikoje gjë më heret.

Babë Zeneli, si i çartur, po shkonte sa te një, sa te një tjetër fshat, kudo që dëgjonte se dikush i kish shti “dukumentat” për vesika, se mos merrte vesh ndonjë gjë; në çdo të tretën ditë po shkonte në Shkup, në mos e zente diku atë “syretxhinë” e rrotsamës, që kishte shkue e mbet në Sanxhak, tek boshnjakët nevojli, gjithashtu, për vesika…

U përhap lajmi se Berivojca, toptan katundi, të “xhumanë”, kismet po niseshin në “dhën e selametit”…

Në mesin e shumë njerëzve nga të gjitha anët që ishin tubue atë ditë: miq, akraba, të njohshëm, ishte edhe Babë Zeneli, të cilët për herë të fundit në Xhaminë e fshatit po e falnin Xhumanë, sepse serbët po e zaptonin fshatin.

Babë Zeneli u përpjek bash me Kryeplakun e Berivojcës dhe u interesua për punën e vesikave, e ai i rrëfeu se pas shumë e shumë telasheve, disi i kishin rregullue, për secilën familje të madhe, ka një vesikë kolektive.

Po t’i kishin pasë të rregulluara “letrat”, edhe Vëllazërija e Demirovitëve, po në këtë ditë do të niseshin në këtë rrugë, po ja që, me punën e syretit, në fakt, çështjen e vdekjes së Sabriut të vogël, gjërat u komplikuan kaq shumë sa ni Zot e di se si do të shthurren.

– Banja qysh t’mujsh e bjeri punës ma me axhele, se po flitet qi dojnë me e “mshel hudutin”, e jesni as anej as knej…! Neve menzi na e dhanë myhyrin në vesika, se hala nuk e dishin a asht çel a asht mshel hala huduti… – e këshilloi Kryeplaku i Berivojcës Babë Zenelin, e në fakt, në vend se t’ia shnoshke sado pak zemrën e kokën, ai e helmoi edhe më shumë.

U “hallallshtis” me krejt burrnimin e Berivojcës, ku as ai ma i forti nuk mbeti pa u ligshtue, e pa lëshua ndonjë lot, një situatë, të cilën as e kishte parë as përjetuar deri më atë moment Babë Zeneli, anise ishte bukur në moshë, dhe po ashtu ishte njeri që kishte “parë botë me sy”.

Gratë, edhe ato që ishin në “turnin” që po largoheshin, edhe ato që po mbetëshin këtu, njësoj qanin me të madhe, besa edhe me zë, e bashkë me to edhe fëmijët, që haber nuk kishin se ç’po ndodhte, as ku po shkonin, as kush po shkonte e kush po rrinte…

Ishte një vajë, një kujë, një vajtim i fatit të shqiptarëve në përgjithësi, që kurrë nuk e patën një “memleqet” të tyrin, ku nuk do kishin nevojë të lëviznin, thuaja, në çdo decenie.

Burrat ishin dyndur ndër varre e po “hallallshtiseshin” nga të parët e tyre, babë, gjysh, katragjysh, stërgjysh…

Madje, kjo u vinte më së rëndi berivojcasve: po i braktisnin më të dashurit e tyre të të kaluarës, që i kishin si një “rrënjë” të së ardhmes…

Kryeplaku, një burrë nga të 70-tat, por i mbajtur akoma shumë mirë, që, nga ngashërimi, mezi i nxirrte fjalët, iu drejtua të parëve të tyre në varreza:

– O gjinja tonë ma t’dashun! Mos kujtoni qi për pikë të qefit po ju lamë këtu vetë pas qinë e qinë vjetësh! Mos kujtoni qi e kemi pej naj salltanati, se k’tu boll mirë e kishim: i kryjshim pun’të qysh na kishi msue ju, han e dan, qysh ma heret, e kishim një rrnesë koxha t’mirë, besa, po…. – këtu u ndal, mori frymë thellë, dhe tashmë me plot zanin, vazhdoi: –

Çare, msa pa dekë, nuk e patëm pa u çue e me i marrë udhët e dynjasë, se, o vëllazën: zullumi s’kish skej… Banani hallall për krejt çka bamë e çka nuk bamë, e çka po bajmë e nuk po bajmë…!

Ishalla “piqemi” apet, bile najkush pej neve, n’ju gjetshim ma k’tu ku jini e ku pushoni pej se u kurdis Berivojca! – përfundoi Kryeplaku, në ndërkohë që katër xhanar të Kralit, pak ma larg, po banin seri se ç’po bajnë k’ta “shifrarë” në vorre, a me kend po “flasin”, a?

Kryeplaku me një si gjysmë urdhëri, iu drejtua burrave tjerë, që po ua banin “aminin” e po “knonin” El-Fatiha-në e fundit:

– Hajde, po nisemi, burra! Na koftë përhajr kjo udhë e gatë! Ta dini, qi munet me na ba turli-turli vakije… Mos u dani, po po shkojmë bashk, ke ku ke, veç bashk t’jemi, se kanë me u munue ere me na da…! Mirë metshi o ju ara e male, livadhe e kullosa, prroje e gurra, kulla e shpija e ju vorret tona!… – qenë fjalët e fundit të tij, të cilat mezi i përfundoi, sepse edhe atij iu mbushën sytë me lotë…

Dhe, kështu, Berivojca, me teshë e koteshë, me qerre, kuaj e gomerë, me olluk e çoxhuk, varg e vijë udhës drejt Koretinit, u nisën në rrugën e gjatë për në gërxhet e Anadollisë së largët…

Babë Zeneli, me një “guri” të madh në shpirt, për një kohë mbet me ata të tjerët “që nuk e patën atë fat të kurtalisen…” si i ngrirë, dhe ia merrte mendja se këmbët nuk do të mund t’i lëvizte, sikur të burgosurit që ia vënë ato prangat e mëdha me ato sferat gjigante të metalta…

Më në fund, në gurrën e fshatit, pasi e hoqi plisin dhe një shallë mbështjellë skajeve të tij, e lau fytyrën, e pastaj, e futi kokën nën gurrë dhe e ndjeu freskun e ujit të ftohtë, që iu bë se po ia shponte kokën deri në tru, që i ishin “hallakatur” fare.

Ia hoqi kalit strajcën e taxhisë nga qafa e koka, dhe ashtu, si i kalamendur që ishte akoma, u nis për në Desivojcë…