Çfarë do të ndodh nëse do të vaksinohet i tërë qyteti kundër COVID-19?

Një qytet brazilian ka parë një rënie prej 95 për qind të vdekjeve të COVID-19 pasi pothuajse të gjithë të rriturit u vaksinuan si pjesë e një eksperimenti, thonë studiuesit.

Serrana, me 45 mijë banorë, është qyteti që nuk ka raportuar asnjë rast të ri pas një vaksinimi masiv.

Ekipi tha se ata që nuk ishin vaksinuar ishin gjithashtu të mbrojtur nga zvogëlimi i qarkullimit të virusit, transmeton Telegrafi.

Gjetjet sugjerojnë se pandemia mund të kontrollohet pasi 75 për qind e njerëzve të jenë vaksinuar plotësisht.

Brazili është goditur rëndë nga pandemia, me gati 463 mijë vdekje dhe mbi 16.6 milionë të infektuar, raporton bbc.

Vendi po lufton me një fushatë të ngadaltë vaksinimi për shkak të injektimeve të pamjaftueshme, ndërsa mesatarja e vdekjeve ditore dhe rasteve mbetet e lartë mes mungesës së masave të bashkërenduara për të frenuar infeksionet.

Eksperimenti në Serrana, në shtetin jug-lindor të Sao Paulos, u krye midis shkurtit dhe prillit nga Instituto Butantan.

Qyteti u nda në katër zona për të ndihmuar në përcaktimin e pragut për të përmbajtur virusin. Ekipi tha se kjo u arrit pasi tre zona, ose rreth 75 për qind e popullsisë mbi moshën 18 vjeçare u ishin dhënë të dyja dozat.

Kur 95 për qind e të rriturve u vaksinuan plotësisht, ata thanë se rezultatet treguan se – vdekjet ranë me 95 për qind, shtrimet në spital ranë me 86 për qind dhe rastet simptomatike pësuan rënie me 80 për qind.

Ricardo Palacios, drejtor kërkimi në Butantan, tha se shifra kryesore ishte 75 për qind. “Rezultati më i rëndësishëm është se ne mund të kontrollojmë pandeminë pa pasur nevojë të vaksinojmë të gjithë popullatën”, tha ai.

Palacios gjithashtu tha se kishte një rënie të numrit të rasteve midis fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilët nuk ishin vaksinuar. Kjo mund të tregojë se nuk kishte nevojë për të vaksinuar fëmijët për hapjen e shkollave.