Çfarë do të ndodhë me masat kufizuese për festat e fundvitit?

Gjatë konferencës së sotme për shtyp (2 dhjetor) Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri vendosi që masat kufizuese aktuale të vazhdojnë pa afat deri në njoftimin e radhës.

Pra, lëvizjet, baret, restorantet dhe bizneset e tjera do të kufizohen pas orës 22:00 deri në orën 06:00.

Një tjetër pikëpyetje që vjen bashkë me dhjetorin mes një situatë të tillë pandemie, lidhet me festimin e festave të fundvitit. Çfarë do të ndodhë për festa? A do të munden njerëzit të festojnë në bare apo restorante?

Mira Rakacolli, kryetarja e Komitetit Teknik tha se është ende herët për një plan konkret rreth asaj që mund të ndodhë për Krishtlindje, por deri tani për festa mund të mblidhen vetëm 10 persona deri në orën 22:00.

“Jemi akoma disa javë larg Krishtlindjeve. E shihni që situata është dinamike dhe ndryshon me shpejtësi. Jemi sot në vendimin që nuk do të ketë më shumë se 10 veta në bare e restorante dhe do të jenë të mbyllura pas orës 22:00 dhe thamë që kjo është pa afat. Do të shohim sesi do shkojë më vonë dhe ndoshta mund të ndryshojë. Shpresojmë të ndryshojë për mirë.”