Çfarë motive ka kënga “Kalldrëmit po m`shkon si shah”?
Kënga “Kalldrëmit po m`shkon si shah” këndohet prej vitesh e vitesh dhe ka disa versione sa i përket tekstit të saj.
Atë e kanë kënduar dhe vazhdojnë ta këndojnë edhe në ditët e sotme, dhjetëra rapsodë e këngëtarë, por në variante të ndryshme te pjesa e tekstit “aman çun pashë perëndinë falja bacës naj sabah” (Riza Bllaca).
Te ky version bëhet fjalë për persona të gjinisë së njëjtë, gjë që i ka shtyrë komentuesit e ndryshëm të aludojnë se joshja mes personave të gjinisë së njëjtë, është shumë e vjetër, që në popull njihen me emrin “dylber”.
Në disa versione të tjera, kjo këngë me motive të forta ashikinie, këndohet “aman shpirt pashë perëndinë…”, apo edhe “aman vashë pashë perëndinë” (Feriz e Sali Krasniqi) meqë ashiku, ai që “kalldrëmit po më shkon si shah” është mashkull, sepse identifikohet me qyrkun mbi krah.
Është e mundur që asokohe, për shkak të rrethanave patriarkale, rapsodi ta ketë kamufluar mesazhin e këngës, duke iu drejtuar një mashkulli.
“Kalldrëmit po m`shkon si shah” është kënduar nga Sali e Feriz Krasniqi, Riza Bllaca, Bijtë e Sefë Mleqanit, Adnan Daci e plot të tjerë.
Këtë këngë, së fundi e ka risjellë shumë fuqishëm, në një version korrekt sa i përket tekstit “aman shpirt…”, edhe këngëtarja nga Vitia, Merita Sahiti. /Mediafokus/