Kush e kontestoi OSBE-në në zgjedhjet e vitit 2002?
Tri subjektet më të mëdha politike në Gjilan, LDK, PDK e AAK, janë shprehur të kënaqura me votat e fituara në zgjedhjet e 26 tetorit 2002, ndonëse, ambiciet e tyre, realisht kanë qenë më të mëdha. Disa prej tyre shprehën mospajtime me OSBE-në për rezultatin e zgjedhjeve, raporton MediaFokus.info.
Dega e LDK-së, përkatësisht shtabi i saj zgjedhor ka kontestuar raportin e OSBE-së, ku sipas tyre mungojnë votat për gati dy mandate, ndërkaq OSBE-ja nuk e ka përjashtuar mundësinë që të jetë bërë ndonjë gabim në numërim, duke premtuar se nuk do të dëmtohet asnjë parti.
LDK-ja në Gjilan, pa votat me kusht dhe të subjekteve politike që nuk arritën të zënë vende në Asamblenë Komunale, thotë se i ka fituar 56.70 për qind të votave, të cilat i garantojnë asaj 23 deri në 24 vende në asamblenë komunale.
Rezultatet e para të dhëna nga shtabet zgjedhore të LDK-së dhe PDK-së, janë të përafërta sa i përket përqindjes dhe numrit të votuesve. Sipas shtabit zgjedhor të LDK-së, kjo parti në zgjedhjet e 26 tetorit ka fituar 56.70% të votave. Në anën tjetër, po ky rezultat jepet edhe nga shtabi zgjedhor i PDK-së, sipas së cilit, LDK-ja ka fituar 56.67%, ose 20.558 votues.
Mirëpo, këto të dhëna nuk përputhen plotësisht me raportin jopërfundimtar të OSBE-së, i cili ka nxitur reagime nga radhët e LDK-së, por në një masë edhe nga AAK-ja. Sipas tyre, LDK-ja ka fituar 52.57%, ose 18.958 votues.
Nehat Ramadani, kryetar i shtabit zgjedhor të LDK-së dhe drejtuesit e këtij subjekti politik thonë se janë dëmtuar për dy vende. Sipas z. Ramadani, LDK-ja në Gjilan, pa votat me kusht dhe të subjekteve politike që nuk arritën të zënë vende në Asamblenë Komunale, i ka fituar 20 mijë e 569 vota e jo siç janë prezantuar nga OSBE-ja.
LDK-ja i ka bërë edhe një ankesë OSBE-së, ku ka kërkuar korrigjimin e rezultatit, duke i ofruar faktet nga 84 vendvotime. Për më tepër, në LDK thonë se të dhënat e tyre përputhen me ato që kanë publikuar subjektet tjera politike dhe organizatat joqeveritare.
Ndërkaq, zëdhënësi i OSBE-së, John Kristjanson ka thënë se deri tashti kemi marrë vetëm ankesën e LDK-së dhe ka premtuar se ajo do të shqyrtohet, duke mos përjashtuar mundësinë që të jetë bërë ndonjë gabim në numërim. OSBE-ja nuk është e interesuar që ta dëmtojë asnjë parti, ka thënë ai.
Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, e cila përdori tone më kritike ndaj partisë në pushtet, gjatë fushatës parazgjedhore, është deklaruar e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve dhe ka ofruar gatishmërinë e saj për bashkëqeverisje, duke qenë e gatshme në të njëjtën kohë edhe për të mbetur një opozitë konstruktive. Ismajl Kurteshi, kryetar i PDK-së në Gjilan i ka dëshiruar suksese në qeverisje partisë që fitoi më shumë vota.
PDK-ja, e cila ka fituar 11.589 vota ose diçka më shumë se 32 për qind dhe pret t`i ketë 12-13 vende në kuvendin komunal, vlerëson se ka siguruar një rritje të numrit të votuesve dhe ky është një element inkurajues për zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë, edhe AAK-ja në Gjilan, është deklaruar e pakënaqur me rezultatin e OSBE-së. Edhe ne jemi dëmtuar për 150 vota, por nuk do të bëjmë problem këtë, sepse OSBE-ja është organizatore e zgjedhjeve dhe ne nuk kemi bazë të mjaftueshme për ankesë, ka deklaruar para gazetarëve, përfaqësuesi i këtij subjekti, Sokol Haziri, nënkryetar.
Shtabi zgjedhor i AAK-së ka shpallur një fitore me 6.2% të votave, të dhëna këto që ishin në përputhje me ato të KAC-it, ndërsa sipas OSBE-së, AAK-ja ka fituar 5.33%, rezultat ky jopërfundimtar.
Pavarësisht nga këto të dhëna, AAK-ja është shprehur e gatshme për të njohur rezultatin e zgjedhjeve dhe premton rol konstruktiv, qoftë si opozitë apo edhe si partner në koalicion me ndonjë subjekt tjetër.
Sipas komisionit komunal të zgjedhjeve, të drejtën e votës në komunën e Gjilanit e kishin 79.075 qytetarë, bashkë me ata në Serbi e Mal të Zi dhe nga të gjithë këta, sipas rezultateve paraprake, kanë votuar 53 për qind. Një pjesë e mirë e zgjedhësve abstenuan nga e drejta e votës së lirë dhe kjo mund të shihej si fillim i një zhgënjimi te qytetarët./MediaFokus/