City ndërton statujë për Agueron, në 10 vjetorin e golit historik (VIDEO)

Manchester City ka zbuluar një statujë të Sergio Agueros jashtë stadiumit Etihad, për të shënuar 10-vjetorin e golit të tij të famshëm, që ia mundësoi Cityt marrjen e titullit të Premier Ligës më 2012.

Klubi postoi një video në Twitter duke treguar statujën, e cila përshkruan pozën e Agueros pasi shënoi golin më historik të klubit, në fitoren 3-2 ndaj Queens Park Rangers.

“Sinqerisht, është një gjë shumë e bukur për mua, të shoh veten 10 vjet më parë është shumë prekëse. Në ato 10 vite unë kam qenë në gjendje të fitoj shumë trofe dhe kam qenë në gjendje të ndihmoj klubin të bëhet një nga më të rëndësishmit në botë”, tha Aguero.

“I jam shumë mirënjohës klubit që e bëri këtë statujë në shenjë mirënjohjeje për karrierën time futbollistike në Manchester. Është diçka shumë e veçantë”.

City tha se statuja, e krijuar nga skulptori Andy Scott, feston kontributin e jashtëzakonshëm të Agueros në suksesin e klubit, dhe në veçanti, rolin e tij kryesor në atë që ishte padyshim një nga momentet më të mëdha në historinë sportive, për të cilën ai do të mbahet mend përjetësisht nga tifozët e Manchester Cityt në mbarë botën.

Aguero, i cili doli në pension në dhjetor të vitit të kaluar për shkak të problemeve në zemër, është planifikuar të vizitojë sot statujën në Etihad, e cila shënon saktësisht 10 vjet që kur goli i tij rrëmbeu titullin e Premier Leagues nga rivalët Manchester United, në ditën e fundit të sezonit, raporton DailyMail, transmeton Klani.