Çminimi nga britanikët i Kanalit të Korfuzit – datë në historinë detare

Artur Mecollari

Mbas incidentit të Kanalit të Korfuzit të 22 tetorit 1946, Kanali i Korfuzit u kontrollua (çminim kontrollues) nga Marina Britanike në datat 12-13 nëntor 1946. Nga kontrolli u zbuluan dhe u nxorrën 22 mina gjermane të tipit GY (kontakte me spirancë). Këto fakte bënë që Britania e Madhe të besonte dhe të pretendonte se minat që shpërthyen dy anijet britanike në datën 22 tetor 1946 ishin mina gjermane të tipit GY (me spirancë), të njëjta me ato të nxjerra në datën 12 dhe 13 Nëntor 1946 dhe se ishin vendosur midis datave 15 Maj-22 Tetor 1946.

Në datën 12 dhe 13 nëntor 1946 Mbretëria e Bashkuar kreu operacione të pastrimit të minave në Kanalin e Korfuzit, pa pëlqimin e Qeverisë Shqiptare dhe nën drejtimin e Komandantit të Përgjithshëm të Komandës Aleate të Mesdheut.

Pastrimi nga minat u krye edhe në detin territorial të Shqipërisë në kufijtë e mëparshëm,. Operacioni u quajt “RETAIL” dhe në të morrën pjesë katër minaheqëse nën mbulimin nga ajri të një aeroplanmbajtëse britanike.

Fusha me mina shtrihej 3 milje përgjatë Kanalit. Dy nga minat u dërguan në Maltë për ekspertizë. Nga ekzaminimi doli se minat ishin të prodhimit gjerman, kontakte me spirancë, të njohura nga britanikët si tipi “GY”, dhe nuk kishin zënë as ndryshk dhe as myshqe. Minat ishin lyer pak kohë më parë dhe grasua gjendej ende në gadinën (zinxhirin) e spirancës.

Në Marrëveshjen e Veçantë të 25 marsit 1948, marrëveshje që palët iu drejtuan Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ishte përfshirë edhe çështja e çminimit të datave 12-13 nëntor 1946. Pyetjes, a ka dhunuar Mbretëria e Bashkuar sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet veprimeve të marinës se saj në ujërat e Shqipërisë, në datat 12 dhe 13 Nëntor 1946 dhe a ka ndonjë detyrim për të përmbushur, trupi gjykues iu përgjigj se ”me veprimet e Marinës Britanike gjatë operacionit të datës 12-13 nëntor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, Britania e Madhe ka dhunuar sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë”.