COVID-19 ia merr jetën mjekut Safet Idrizi
Covid-19 e ka marrë edhe një mjek në Kosovë. Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se mjeku familjar nga Vushtria, dr Safet Idrizi e ka humbur betejën me koronavirusin.
Dr. Idrizi ka qenë specialist i mjekësisë familjare dhe i ka shërbyer shëndetësisë primare në QKMF Vushtrri, ku nuk e kishte ndërprerë punën as gjatë pandemisë dhe vijonte tu shërbente qytetarëve.
Po ashtu gjatë luftës dha një kontribut të jashtëzakonshëm duke ju bashkuar radhëve të UÇK-së si mjek në Zonën Operative të Drenicës.
Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për më shumë se 30 vite komunitetit të tij.
Oda e Mjekëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij, thuhet në njoftimin e Odës.

