Disa pacientë në Kosovë infektohen për herë të dytë me koronavirus

Në Klinikën Infektive në QKUK janë paraqitur për trajtim raste që kanë rezultuar për herë të dytë me koronavirus, ka konfirmuar drejtoresha e kësaj Klinike, Lindita Ajazaj-Berisha.

Madje sipas saj, ka pacientë që herën e parë e kanë kaluar lehtë virusin, ndërsa për herë të dytë kanë pas nevojë që të trajtohen në spital.

Dyshimet që pacientët që kanë qenë të prekur nga Covid-19 të mund të preken për here të dytë, drejtoresha tha që kohëve të fundit kanë pasur raste që u kanë ardhur për herë të dytë, e madje disa prej rasteve duhet edhe të spitalizohen.

“Po gjatë këtyre kohëve të fundit kemi pasur edhe raste që na kanë ardhur për herë të dytë me Covid-19 të cilët kanë qenë gjatë muajve të verës të konfirmuar me PCR-pozitiv dhe tani përsëri kanë qenë Covid- pozitiv, në mesin e tyre kemi pacientë të cilët në atë kohë nuk kanë pasur manifestime klinike ose kanë pasur manifestime të lehta, ndërsa tani kemi disa prej rasteve që edhe duhet të spitalizohen”, tha ajo për Ekonomia Online.

Ajo ka lutur partitë politike që të respektojnë masta anti-Covid në tubimet paraelektorale për zgjedhjet e parakohshme.