Covid prishë planet e politikanëve – të gjithëve!

ARSIM KASTRATI
A ka të drejtë Kosova të vendos reciprocitet në raportet e saj me Serbinë? Normal që po!

Kjo e drejtë, teorikisht dhe ligjërisht nuk mund t’i mohohet asnjë shteti.

A mundet Kosova të sillet në reciprocitet të plotë karshi Serbisë? E kjo është tjetër hesap.

Do të thuhej po, nëse Republika e Kosovës do të ishte në gjendje ta shtrinte sovranitetin shtetëror në tërë territorin e vet dhe akoma më tepër nëse në kushtetutën e saj, Lugina e Preshevës do të figuronte si pjesë e territorit të saj.

Nëse vendet të cilave u ofrohet dhe i yshtë për çnjohjen e Republikës së Kosovës, do ta refuzonin Serbinë, atëherë do të mund të thoshim se emri ynë nuk është i papërfillshëm në arenën e politikës ndërkombëtare!

Kur BE-ja dhe SHBA-të do të na trajtojnë me respekt të plotë dhe nuk do të tërhiqen nga ndihma dhe premtimet e dhëna, atëherë mund të themi – OK, punët tona keq nuk janë!

Nëse taksa dhe reciprociteti janë vendosur për tu ballafaquar me Serbinë, atëherë ligjërisht në rregull janë.

Por nëse janë vënë për ti penguar bisedimet, atëherë mbetet të shihet më vonë, se sa të dobishme do të kenë qenë.

Njëherë për njëherë është Covid-19 që ka vendosur moratorium ndaj bisedimeve të Kosovës me Serbinë.

Njëherë për njëherë e më s’pari do të lutemi:

Zot, ruaj njerëzit nga kjo sëmundje!