Cristiano Ronaldo pensionohet nga Portugalia
Cristiano Ronaldo ka njoftuar të enjten se është pensionuar nga Kombëtarja e Portugalisë.
41-vjeçari e ka marrë vendimin pas telasheve që pati në ndeshjet e fundit të kombëtareve. Ronaldo e braktisi ekipin pasi nuk u inkuadrua në lojë ndaj Norvegjisë në kuadër të Ligës së Kombeve. Më pas mungoi në dy ndeshjet e ardhshme. Federata e dënoi në mënyrë simbolike.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Ronaldo ka thënë se ka ardhur koha që ta dorëzojë fanellën me numrin 7.
“Ka ardhur dita që unë të dorëzoj fanellën me numër 7 të ekipit tonë kombëtar. Nuk kam ndier kurrë se më përkiste vetëm mua. Por për 23 vjet pata privilegjin dhe përgjegjësinë ta vishja, ta mbroja dhe ta mbaja me vete në stadiume anembanë botës. Sot, ka ardhur koha ta kaloj atë në të ardhmen”, ka thënë CR7.
Superylli e pranoi se vendimi për pensionim nga kombëtarja nuk ishte i lehtë. Por është krenar me atë që ka arritur.
“Nuk ishte vendim i lehtë. Sepse disa vendime nuk merren vetëm me mendje. Ato merren edhe me zemër. Një udhëtim që filloi në gusht 2003 dhe ndryshoi jetën time përgjithmonë ka marrë fund. Kur shikoj prapa në gjithçka me ekipin kombëtar, nuk shoh vetëm ndeshjet, golat, rekordet apo trofetë. Shoh njerëz. Shoh portugezë që jetojnë jashtë vendit, të cilët, për 90 minuta, u ndien pak më afër shtëpisë. Shoh miliona portugezë që nuk i kam takuar kurrë, por që u bënë pjesë e jetës sime. Sepse në fund të fundit, futbolli është shumë më i madh se një lojë. Futbolli ka të bëjë me njerëzit”, ka thënë ai.

