Cungu, një ‘super hajdut’ që u ekstradua nga Kosova në Shqipëri

Autori i qindra grabitjeve, 24-vjeçari Markelian Cungu, është ekstraduar dje nga Kosova, pasi është dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës, me 25 vite burgim, shkruan panorama.com.al.

Ai është shpallur fajtor për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Markelian Cungu, u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë, pasi ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes me armë të ndodhur më 19 janar të vitit të kaluar në Allias, ku mbetën të plagosur çifti Petrit dhe Afërdita Laze. Cungu, në bashkëpunim me Fatjon Mertenikajn hynë në banesë gjatë natës dhe qëlluan me armë, duke plagosur fillimisht të zotin e shtëpisë Petrit Lazen dhe më pas bashkëshorten e tij, Afërdita Laze, të cilët në katin e parë të vilës kishin biznes.

Pa kaluar as një muaj nga ngjarja, Policia e Tiranës zbardhi plagosjen e çiftit Laze gjatë tentativës për grabitje në shtëpinë e tyre në Allias, duke vënë në pranga një person dhe shpallur në kërkim një tjetër.

Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e 19 janarit të vitit 2020, është dokumentuar me prova ligjore nga ana e grupit hetimor, pas një analize ADN-je, të përftuar nga një kampion pështyme në një nga maskat e gjetura jo shumë larg vendit të ngjarjes. ADN-ja ka çuar në identifikimin e njërit prej autorëve, 28-vjeçarit Fatjon Martenikaj, i arrestuar në Rinas në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Ndërsa ideatori kryesor e ngjarjes, i cili u shpall vjet në kërkim dyshohej se ishte Markelian Cungu, “superhajduti”, që ka kryer qindra vjedhje që kur ishte në moshë të mitur. Ka qenë i arrestuari Martenikaj që ka treguar emrin e ideatorit, duke deklaruar se planin e grabitjes së çiftit Petrit e Afërdita Laze e kishte thurur Markelian Cungu.

“Duke tentuar që t’i nxirrja jashtë shtëpisë, ata më qëlluan me armë. E ndjeva se isha plagosur, por ata më shtynë drejt banjës dhe më mbyllën aty. Kam marrë një levë dhe jam hedhur nga dritarja për t’u rifutur në shtëpi, por ata ishin larguar pa marrë gjë”, është shprehur 62-vjeçari Laze gjatë deklarimeve para oficerëve të Policisë.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë, ngjarja ndodhi më 19 janar 2020, rreth orës 21:40, kur çifti Laze ka dëgjuar që në banesën e tyre ka hyrë dikush. Një prej personave ka qëlluar, duke i lënë të plagosur. “Rreth orës 21:40 në rrugën ‘Njazi Meka’, 2 persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e çiftit të bashkëshortëve P.L dhe A.L. Në momentin që janë konstatuar nga çifti i bashkëshortëve, njëri prej personave ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të çiftit. Si pasojë janë plagosur çifti i bashkëshortëve P. L dhe A. L, të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjekësore”, njoftoi zyrtarisht Policia e Shtetit. Petrit dhe Afërdita Laze u transportuan në Spitalin e Traumës, kur gjatë mbrëmjes iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale. “Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka ngritur pika kontrolli. Vijon krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes”, njoftonte në atë kohë Policia. Mësohet se në banesë janë gjetur orendi të rrëzuara dhe kjo ka ardhur si pasojë e përleshjes së çiftit me grabitësve, ndërsa mësohet se në Komisariatin nr.4, janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje.