Cyrih: Vritet kosovari, plagosen gruaja dhe e bija

Në mëngjesin e sotëm, si pasojë e një mosmarrëveshje familjare, në një apartament në Cyrih, ka vdekur një burrë dhe janë plagosur gruaja dhe e bija, njofton albinfo.ch.

Policia e qytetit të Cyrihut ka njoftuar të enjten se pak para orës 7 të mëngjesit është raportuar një mosmarrëveshje e dhunshme familjare në një apartament në Zurich-Wollishofen.

Kur arritën në vend të ngjarjes, shërbimet e urgjencës hasën në dy gra të plagosura, të dyja zvicerane, të moshës 18 dhe 50 vjeç, dhe një burrë të plagosur rëndë.

Personi 47 vjeçar me shtetësi zvicerane, i cili sipas 20minuten.ch është me prejardhje kosovare, ka vdekur në apartament, pavarësisht masave të menjëhershme të rianimacionit. Kurse, dy të plagosurat, nënë dhe bijë, janë dërguar në spital.

Kosovari tashmë i ndjerë ka drejtuar një biznes të makinave për 20 vjet,  thotë një person i punësuar tek ai, transmeton albinfo.ch.

“Unë e njoh atë dhe familjen e tij për një kohë të gjatë. Asnjëherë nuk ka pasur konflikte mes tyre. Ata ishin njerëz paqësorë. Është trishtuese kjo që ka ndodhur”, thotë ai.

B. kishte ardhur në Zvicër nga Kosova në moshën 16 vjeçare. Së bashku me gruan e tij, kanë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

“Ata janë njerëz shumë të mirë. Djali është student dhe ka një firmë. Vajza do të studionte gjithashtu. Ndërsa gruaja mbante kontabilitetin në dyqanin e B”.

Sipas Policisë së Qytetit të Cyrihut, prapavija dhe rrjedha e ngjarjeve janë ende të paqarta.