Daçiq: Serbia do ta pranonte korrigjimin e kufirit me Kosovën

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë për televizionin serb ‘TV Prva’, se qytetarët e Serbisë do ta përkrahnin propozimin e Beogradit zyrtar për një korrigjim të kufirit me Kosovën, që sipas tij do të nënkuptonte ndarjen e veriut të Kosovës, transmeton Mediafokus.info.

“Kjo nuk është diçka që ne kemi, është diçka për të cilën duhet të luftojmë. Ne nuk kemi pushtet faktik në Prishtinë, por as ata nuk e kanë pushtetin faktik në veriun e Kosovës … Parashikimet janë se bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina nuk duan ta japin as këtë. Ne kemi bërë që të arrihen 18 tërheqje të njohjeve të Kosovës. Ata tani nuk kanë shumicë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara “, tha Daçiq.

Ai ka paralajmëruar se dialogu do të rifillojë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, kurse është paraparë që më 22 qershor Beogradin ta vizitojë Miroslav Lajçak – emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa të nesërmen presidenti serb do të udhëtojë në Moskë e tri ditë më vonë në Uashington./Mediafokus.info/