Daily Mail: Zemërim në Shtëpinë e Bardhë për angazhimin e njerëzve të Trumpit në fushatën e Dodikut
Shefja e Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, ka mbledhur ndihmësit e saj më të afërt për të diskutuar për përfshirjen e disa personave nga rrethi politik i presidentit amerikan, Donald Trump, në fushatën e partisë SNSD dhe liderit të saj, Milorad Dodik, në Bosnje-Hercegovinë.
Sipas gazetës britanike Daily Mail, takimi u mbajt të premten e kaluar në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, pasi Wiles ishte shqetësuar nga një artikull i publikuar në The New York Times, që trajtonte angazhimin e Chris LaCivita-s dhe James Blair-it në fushatën e SNSD-së, transmeton express.
LaCivita dhe Blair, të cilët drejtojnë operacionin politik të Trumpit për zgjedhjet e Kongresit amerikan, udhëtuan drejt Bosnje-Hercegovinës për të punuar në fushatën e partisë së Dodikut.
Shqetësime të tjera lidhen me aktivitetet lobuese të vajzës së Susie Wiles, Katie Wiles, e cila është partnere në firmën Continental Strategy. Kjo kompani është regjistruar këtë vit për të lobuar në emër të Republikës Srpska, entitetit të Bosnje-Hercegovinës.
Një zëdhënës i Katie Wiles i tha Daily Mail-it se ajo nuk ka diskutuar për Republikën Srpska me asnjë zyrtar të qeverisë amerikane. Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë deklaroi se Susie Wiles nuk diskuton çështje biznesi me vajzat e saj.
Sipas një burimi të cituar nga gazeta britanike, gjatë takimit Wiles u tha ndihmësve të saj se Shtëpia e Bardhë nuk është e përfshirë në zgjedhjet e Kongresit dhe se përgjegjësia për këtë proces u takon LaCivita-s dhe Blair-it.
Një zyrtar i administratës amerikane i tha Daily Mail-it se Trumpi është tejet i zemëruar për këtë situatë.
Më 7 tetor, Trumpi kishte reaguar përmes një postimi në platformën Truth Social, duke thënë se LaCivita dhe Blair punojnë për të si konsulentë të jashtëm. Sipas tij, ata, sikurse konsulentët e tjerë në Uashington, mund të bashkëpunojnë njëkohësisht edhe me klientë të tjerë.
Megjithatë, presidenti amerikan paralajmëroi se do t’i shkarkonte menjëherë nëse do të vërtetohej se angazhimet e tyre për klientë të tjerë përbënin konflikt interesi.

