Daku: Anëtarët e KGJK-së që s`i kanë shqyrtuar dorëheqjet e gjyqtarëve serbë për katër vite, duhet të sanksionohen
Shefki Daku, ish-zyrtar në sistemin gjyqësor të Kosovës, referent i lartë për ekzekutime në Gjykatën Themelore në Gjilan, shprehet i habitur se si është e mundur që prej vitit 2022 të mos jenë shqyrtuar dorëheqjet e gjyqtarëve të komunitetit serb.
“Është turp i madh që gjyqësori si shtyllë e tretë e pushtetit, përkatësisht si pushtet i pavarur, me vetëdije të plotë pret vendime politike nga qeveria dhe i mban për katër vjet dorëheqjet në sirtar” – thotë Daku.
Për më tepër ai thotë se po të funksionojë ligji si duhet, anëtarët e KGJK-së 1/3 e pagës duhet ta paguajnë në buxhetin e Kosovës për 4 vite.
“Kushdo që e shkel ligjin në Kosovë, duhet të sanksionohet të paktën me gjobë, cilido qoftë ai ose ajo”, thotë Daku.
Shefki Daku ka qenë për 22 vite kryetar i Sindikatës në Gjilan dhe njëherësh anëtar i Kryesisë Qendrore të Sindikatës së Gjyqësorit të Kosovës dhe është një njohës i mirë i ligjeve dhe procedurave.

