Dani, një jetë e ndershme, një zemër e madhe
Dr Elez Elezi
![]()
Dje, me zemër të rënduar, e përcollëm për në banesën e fundit mikun tim të ngushtë, fqinjin dhe bashkudhëtarin e jetës, Danin.
U nda nga jeta pas një beteje të gjatë me kancerin në zorrën e trashë, me metastaza në mëlçi.
Por kujtimi i tij, jeta e tij dhe mirësia që e karakterizonte, do të mbeten përgjithmonë të gjalla në zemrat tona.
Me Danin kemi qenë mbi 30 vite fqinjë – vetëm një mur na ndante. Gati çdo mbrëmje, pasi mbylleshin punët e ditës, takoheshim e rrëfenim historitë tona.
Nuk ishim vetëm dy fqinj; ishim dy vëllezër të zgjedhur nga jeta.
Gjatë luftës, ai ishte pranë meje në çdo rrezik, në çdo rrugë të pasigurt, në çdo moment ankthi.
Më kujtohet kur, i lodhur nga dhimbjet e lukthit, u nisa drejt një shitoreje pranë spitalit.
Në rrugë, na ndalën dy ushtarë serbë të armatosur me pushkë M/48. Njëri prej tyre filloi të më shtypte fort në bark, aty ku kisha dhimbje të vazhdueshme.
Nuk mjaftoi kjo – na urdhëruan të shkonim e të zbarkonim krevate të rëndë prej hekuri pranë parkut, duke na sharë e kërcënuar.
Dani ishte pranë meje, si gjithmonë, i qetë, i matur, por i vendosur. Ai nuk më la asnjëherë të përballesha vetëm me frikën.
Një tjetër moment që nuk harrohet kurrë ishte kur paramilitarët sulmuan banesën e tij në Kamnik, duke i plaçkitur gruan dhe vajzën.
Kur e mori vesh lajmin, Dani u nis menjëherë për në shtëpi. Nuk e lashë të shkonte vetëm – dhe atë ditë pamë nga afër frikën dhe pasojat që lufta i sillte familjeve tona.
Dani ishte njeri i kujdesshëm. Më kujtohet kur shkonim për të vizituar vëllanë e tij në Gavran dhe në rrugë pa një bashkëpunëtor të serbëve; më tha qetë: “Duhet ta ndryshojmë rrugën”, sepse nuk donte asnjë rrezik të panevojshëm.
Por mbi të gjitha, Dani ishte njeri me shpirt të madh. Ai e donte jetën, bukurinë, librin, bisedat me kuptim. Ishte i qetë, i mençur, i urtë dhe i matur në çdo fjalë.
Nuk e ngriti kurrë zërin, nuk ofendoi askënd, nuk bëri hajgare në kurriz të të tjerëve.
Kishte një rezon të gjerë dhe një zemër që dinte të dëgjonte e të kuptonte.
Për këto cilësi, e kam pasur për zemër më shumë se si një mik – e kam ndjerë si pjesë të familjes sime.
Sot, kur ai nuk është më mes nesh, më mbetet ta them me bindje: Dani ishte një njeri i mirë, i pastër në shpirt, i ndershëm në çdo hap të jetës.
Lamtumirë, miku im. Ti nuk do të harrohesh kurrë.

