Prej nga ishte shqiptari që e vrau konsullin rus në Mitrovicë?

Shqiptarët dhe trojet e tyre, gjithmonë kanë qenë shënjestër e armiqve të ndryshëm, të cilët janë mundur të gllabërojnë sa më shumë toka prej tyre, qoftë edhe me reforma e elaborate për zhdukjen e tërësishme të këtij populli të vjetër.

Shqiptarët, me aq sa kanë pasur fuqi, u janë kundërvënë këtyre qëllimeve jo vetëm të fqinjëve, por edhe të fuqive të mëdha, shkruan Mediafokus.info

Historia njeh kryengritje të shumta dhe akte individuale të sakrificës dhe trimërisë kundër pushtuesve të ndryshëm, siç kishte bërë para një shekulli e më tepër një shqiptar nga rrethinat e Gjilanit, Halit Popovci ndaj një konsulli rus në Mitrovicë.

Konsulli rus kishte hyrë në llogoret e ushtrisë osmane dhe jepte instruksione se si të luftohej kundër shqiptarëve që po mbronin trojet e tyre, por ai u ndëshkua keq nga rreshteri Popovci, që sipas historianëve, ishte nga rrethinat e Gjilanit.

Historiani Naim Musliu, në lidhje me këtë rast, thotë se në fillim të shekullit njëzet, qeveria osmane, e shtyrë edhe nga Fuqitë e Mëdha, filloi përpjekjet për zbatimin e reformave në viset e banuara me shqiptarë.

Reformat përfshinin riorganizimin e xhandarmërisë, ndryshime administrative e juridike, reforma në sistemin fiskal, sidomos të dhjetën dhe masa të tjera.

Këto reforma paralajmëronin copëtimin e territoreve shqiptare dhe rrezikonin drejtpërdrejt edhe territorin e rrethit të Gjilanit.

Prandaj, menjëherë u kundërshtua nga shqiptarët, me forcën e armëve. Për rrjedhojë, kah mesi i muajit mars të vitit 1903, u aktivizua një lëvizje e përgjithshme e shqiptarëve, jo vetëm kundër zbatimit të reformave, por edhe kundër hapjes së konsullatës ruse në Mitrovicë.

Vendosja e konsullatës ruse në këtë qytet, nga shqiptarët nuk konsiderohej vetëm si një vatër konflikti, por edhe si një vatër prosllave, e orientuar kundër shqiptarëve.

Në ato ditë të marsit të vitit 1903, kryengritësit shqiptarë, në mënyrë të organizuar rrethuan Mitrovicën, por hasën në qëndresë të ashpër të forcave të mëdha ushtarake osmane, të cilat përdorën edhe artilerinë e rëndë.

Pranë oficerëve osmanë ishte edhe konsulli rus, Grigorie Stepanoviq Shqerbin, i cili udhëzonte artilerinë për gjuajtje precize në masën e kryengritësve shqiptarë.

Gjatë kalimit të lumit Sitnica, ushtria osmane, nën udhëzimet e konsullit rus, shtiu me armë drejt shqiptarëve, ku vrau dhe plagosi më shumë se 200 shqiptarë.

Ky veprim i konsullit rus në Mitrovicë irritoi nizamët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane e veçmas rreshterin Ibrahim Halit Popovci nga fshati Sukë afër Llashticës, në kazanë e Gjilanit.

Duke qenë i vetëdijshëm se shkaktar i gjakderdhjes ishte konsulli rus, ai shtiu mbi të dhe e vrau.

Sipas dëshmisë së një qytetari nga Mitrovica, konsulli u vra nga një shqiptar me emrin Ibrahim Halit Popovci nga Gumnishta, po ashtu fshat nga kazaja e Gjilanit.

Pas këtij atentati, Ibrahim Popovci, edhe pse i plagosur, tentoi të kalonte te kryengritësit shqiptarë, por u zu nga ushtarët osmanë dhe më pas u dënua me burg të përjetshëm.

Pas një viti, Ibrahim Popovci vdiq nga torturat në burgun e Shkupit.

Për vrasjen e konsullit rus në Mitrovicë, asokohe shkroi edhe gazeta ruse “Moskovcski Vjedemosti”, më 20 mars 1903, e cila vlerësonte se konsulli rus kishte hyrë në llogoret e ushtrisë osmane dhe jepte instruksione se si të luftohej kundër shqiptarëve.

Por shqiptarët ishin gjithmonë të gatshëm të mbrojnë territorin e tyre me armë në dorë nga çdo rrezik që vinte si nga Perandoria Osmane, ashtu edhe nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia, që gjithnjë impononte të realizonte planet pansllave në Ballkan./MediaFokus/