“Ishalla s’na sjellen ma t’kqijat k’tu pari”

Çfarë dhurate më të madhe mund të ketë njeriu se sa të arrijë një shekull jetë? Cili mund të jetë rrëfimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se sa t’iu tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…

Taibe Dushica (01.01.1917) nga Desivojca e Kamenicës, tani banore e Gjilanit, është njëra nga këto personazhe.

Me dashurinë që e rrethonte, nënëlokja Taibe do të mund të jetonte edhe 202 vjet; përkujdesja familjare për të ishte e admirueshme, por edhe falënderimi i saj ndaj fëmijëve, nipave dhe mbesave, ishte mbresëlënës.

Ajo tha: “Jam shumë rahat, faleminderit, po me këqyrin si ashtë ma së miri, tue ju falenderue fmive nipav e mesave t’mia jam kaq mirë une sot”.

Për jetën e saj ajo shton: “Jeta përpara u kanë e shtirë, po na tu ju falenderue babës tonë e kam pas jetën e mirë. Me burrin kam pas jetë të rehatshme, kena kalue shum mirë me të, e kemi ngue njani – tjetrin dhe kemi pas rahati. Edhe tash me fmi edhe me nipa e mesa jam shum rahat.

Ka pas kohë të shtira për ketë popull; i maj men edhe luftat, edhe luftën e komunistit, edhe luftën e fundit; lokes, luftat nuk janë kurrë për kërkan të mira, luftat binë veç shkatrrime heka e deka, edhe në televizor kur p’i ni sot n’lajme që po kallxojnë për lufta, po më treqethet trupi.

Tana ky popull ka hekë shum veç une sa p’i maj men sa pushtust kanë kalue ktu pari pi kohës kralit e deri te Millosheviqi janë shum, edhe sa para meje mos vetë shum; të fortë ishum kanë si popull, ishmi kanë të hekave lokes.

Po shyqyr qe erdh edhe kjo kohë që tash po marrim frym ma lehtë edhe po me doket se jena rahatue si popull, e ishalla s’na sjellen ma t’kqijat ktu pari”, përfundoi lokja Taibe. /Muhamed Sadriu– ‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.