Dasmat në Kosovë sivjet po bëhen vetëm me flamurin kuqezi
Korriku e gushti njihen si ‘stina e dasmave’ te shqiptarët, shkaku edhe i ardhjes së mërgimtarëve për pushime në vendlindje.
Dasmat në Kosovë janë një nga trashëgimitë më të bukura dhe më të pasura të kulturës sonë.
Ato nuk janë vetëm një ceremoni martesore, por edhe një ngjarje e rëndësishme familjare e shoqërore, ku bashkohen familjarë, miq dhe dashamirë për të festuar martesën e një çifti dhe krijimin e një familjeje të re.
Për dallim nga e kaluara, sot shumica e dasmave zhvillohen nëpër sallone e restorante luksoze, duke ruajtur megjithatë shumë elemente të traditës.
Një nga momentet më të rëndësishme është marrja e nuses nga krushqit, një ceremoni kjo e shoqëruar me këngë, valle dhe flamurin kombëtar, i cili simbolizon identitetin, unitetin dhe gëzimin familjar.
Ajo që bie në sy sivjet, të gjitha dasmat po bëhen vetëm me flamur kuqezi, për dallim prej viteve të tjera kur dasmorët mbanin edhe flamurin e Kosovës.
Këtë verë, me aq sa kemi parë dasma në Gjilan, të gjitha veturat e krushqisë janë të stolisura vetëm me flamur kuqezi.
Edhe pse dasmat e sotme, në pjesën më të madhe janë modernizuar, megjithatë janë ruajtur pjesët kryesore të tyre, siç janë muzika popullore, vallet tradicionale, veshjet kombëtare në disa treva si dhe mikpritja.
Përkundër të gjitha ‘ndryshimeve’, dasmat në Kosovë vazhdojnë të jenë një simbol i identitetit kombëtar dhe i vlerave familjare, duke përcjellë te brezat e rinj zakone e tradita që forcojnë lidhjet mes njerëzve dhe ruajnë kulturën shqiptare./Mediafokus

