Deçani ndihet i lënë vetëm në këto momente të vështira
Deçani po përjeton momente dramatike, ndërkohë që ndihet i vetmuar në këtë betejë. Atje, rreth 900 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit.
Dyshohet se helimi ka ardhur nga uji i pijes, për çka tani është ndërprerë furnizimi me ujë në disa fshatra.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se deri më tani as ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e as kryeministri, Albin Kurti nuk e kanë vizituar këtë komunë.
Ai është shprehur se presidentja Vjosa Osmani e ka telefonuar atë dhe është interesuar për rastin, por jo edhe Kurti e Vitia.
“Përveç Presidentes Osmani, e cila më ka telefonuar dhe është interesuar për qytetarët e atakuar, askush nga krerët e institucioneve nuk ka qenë në vizitë”, ka thënë Ramosaj për aleancapress.
Ai ka thënë se deri tani nuk ka pacientë në rrezik për jetë.
“Jo, nuk kemi pacientë që janë në rrezik për jetë”, është shprehur ai.

