Dedikim: Mahmut Bajrami ishte i pari gjithkund

Murat Hoxha

Na iku nga kjo botë e përkohëshme kolegu – gjeodet Mahmut Bajrami nga Gjilani

Ky lajm na shkaktoi dhembje dhe mërzi pafund mua dhe gjithë komunitetit gjeodet, shokëve e shoqeve të shkollës, kolegëve të punës, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën ashtu siç ishte ai me vyrtyte të larta njerëzore, profesionale e shoqërore.

Ai ishte i pari gjithkund, në bankë të klasës, në aktivitete të shkollës, në lexim të librave, por edhe në pesëshe qoftë edhe në matematikë. Unë i pata dhënë idenë ndërsa ai ishte “sebepi” që së bashku edhe me Xhelal Osmanin të regjistrohemi në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” drejtimi i gjeodezisë në Gjakovë.

Ai ishte i pari së bashku me Refik Zuzakun ndërsa unë isha nga tre të parët i punësuar në Sekretariatin për Pronë, gjeodezi dhe kadastër në Gjilan.

Mahmuti i qëndroi besnik punës dhe kolegëve deri në datën e pensionit nga Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër Pronë dhe Banim.

Ishte referencë për zgjidhjen e shumë çështjeve me peshë në kadastër. Përvoja e tij, iniciativat, gjithanshmëria e bënë atë të dashur për të gjithë koleget dhe kolegët, për qytetarët të cilët e donin e kërkonin dhe e respektonin shumë, gjithsesi edhe për eprorët të cilët Mahmuti ishte i veçantë dhe i vlerësuar jashtë mase.

Që në fëmijëri u dallua karakteri i tij për mësim-nxënie, ishte djalë i zgjuar dhe simpatik, lexonte që atëherë libra të cilat i merrnim së bashku nga biblioteka e fshatit, disi bënim gara çka dhe sa po lexojmë, rekomandonim njëri-tjetrin madje edhe i shkëmbenim ato, ushtronim dhe bënim detyrat bashkë qoftë te ai në shtëpi apo tek unë.

Prindërit e admironin vullnetin tonë për shkollën.

E diskutonim që së bashku të vazhdojmë shkollën e mesme në një drejtim ku dominonte matematika, edhe pse kishim edhe frymzim në çështjet shoqërore dhe politike, që atëherë nuk e përdornim këtë shprehje por kishim një mishnim me këtë çështje, mbase drejtpërdrejt të dy ishim në lidhje me Nazmi Hoxhen dhe veprimtarët e mëhershëm të cilët nuk ishin të paktë në Cernicë.

Së bashku përfunduam 12 vjetë shkollë. Ai u punësua i dyti prej gjeneratave të Gjakovës. Ishte komunikativ, ekspert cili merrte iniciativa, e donte punën, shokët dhe progresin.

Ishim gjenerata e avansimeve politike, rrjedhimisht edhe profesionale. Këto të dyja vazhduan të jenë gërshetim i rrugëtimit të tij deri në lirinë e Kosovës për të cilën ai nuk u kursye asnjë minut.

Organizoi aktivitete të lëvizjes për liri, frymëzoi grupe të rinjsh dhe u rrezistoi fuqishëm masave të jashtëzakonshme dhe diferencimeve në drejtori dhe në institucionet e shtetit të Kosovës.

Megjithatë, edhe pas çlirimit i mbeti besnik profesionit, kolegëve gjeodetë dhe përkrahjes së tyre në zbatimin e përvojave dhe teorive në fushën e kadastrës. Ishte i trajnuar në fusha të ndryshme profesionale.

Pati sfida gjithsesi por i përballoi, madje u dha të tjerve kurajo dhe vullnet për të vazhduar rrugëtimin duke zbatuar parimet themelore të jetës – punën dhe dashurinë me njerëzit.

Pas luftes ai nuk u mor aktivisht me politikë edhe pse nuk ishte apolitik. Vlerësonte ata të cilët çliruan vendin por edhe të gjithë ata të cilët konfirmonin që lufta për liri është mishnim edhe i luftes për të ardhmnen, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie për gjeneratat e reja.

Ai iu kthy dhe familjes, miqve e shokëve. Besonte që një ditë edhe fëmijtë e vetë të cilët i rriti dhe i edukoi jo me pak vështirësi të gjenden në lupen e atyre që i respektojnë këto vlera për t’u krijua mirëqenie dhe një ardhmëri më të mirë.

Mahmuti bëri një jetë normale, pa kërkesa të veçanta as pa nënshtrim, ai besoi në të ardhmen ashtu siç ishte edhe besimtar në Zot. Ai u dha krenari familjes, kolegëve, shokëve, miqve dhe të gjithë atyre që komunikuan me te, morën shërbime nga ai dhe ndanë të miren dhe të keqen me te.

Mahmut, ti ike nga kjo botë na le kujtime e krenari, na le vepra dhe dashuri, na le besimin që në këtë botë të kontribuojmë të duam prindërit, familjen, kolegët, shokët, miqët dhe të gjithë ata që kontribuan sa do pakë për atdheun tonë Shipninë, Kosovën dhe trojet të tjera etnike shqiptare.

Qofshin të pa harruara puna dhe vepra e jote, kujtimet dhe mësimet tua.

Të qoftëi i lehtë dheu i Kosoves!

Lamtumirë shoku i jem, kolegu i jonë, shoku dhe qytetari i Cernicës dhe i Gjilanit.

Ngushllime për bashkëshorten, djemtë, motren e vëllaun. Ngushllime për familjarët, kolegët, shokët e miqët, ngushllime stafit të komunës së Gjilanit dhe qytetarëve të Komunës tonë. Ngushllime shokëve e shoqeve të gjeneratës nga Cernica dhe mbarë Kosova.