Dedikimi i Marjanit për Xhangin: Pusho në Parajsë ‘Mbretëreshë e Anamoravës’

Ikja nga kjo botë e Xhangyle Ilijazit, pos familjes dhe farefisit, ka prekur edhe miqtë dhe bashkëpunëtorët e saj gjithandej, sepse vetë ajo ishte e gjithanshme.

Një dedikim të veçantë ka bërë miku i saj në Binçë, Marjan Sopi, i cili Xhangyle Ilijazin e ka cilësuar ‘Mbretëreshë e Anamoravës’.

Iku mikesha ime e dashur shumë vjeçare Xhangi Ilijazi pa më thënë lamtumirë, mua e miqve të saj të shumtë që kishte kudo në botë.

Xhangin e quaja edhe ‘Mbretëreshë e Anamoravës’, ishte një femër, grua, nënë e çelikt. Humane, patriote, bëmirëse, plot bujari e dashuri për njeriun, pavarësisht përkatësisë së tij fetare, kombëtare e ideologike.

Ishte grua plot energji pozitive, stimuluese dhe e palodhëshme në kërkim të së mirës së shoqërisë, ku në veçanti përkrahu e ndihmoi vajza dhe të rinjët në çdo aspekt e të cilët i donte pa kufi.

Askurr nuk u ankua në lodhje e as lidhje me shëndet, por gjithnjë ishte e lumtur, e hareshme, gazmore, me humor dhe gjithmonë e buzëqeshur.

Kjo qënie e mrekullueshme do jetë gjithmonë në zemrën time, por shpresoj dhe besoj se gjurmëve të saj të fjalës, sakrificës e përkushtimit do ndjekin shumë njerëz që patën fatin ta njohin Xhangin tonë të dashur.

Xhangi, të vetmën “tradhti” në jetë na bëri tani duke na ikur pa lamtumirë.

Xhangi, planet që bëmë këtë verë për të ardhmen na dështuan, por librin e premtuar “Fiset Shqiptare” si dhuratë ma solle e që do e ruaj si relikt (gjë e shenjtë) me gjitha kujtimet që kam për Ty, oj ‘Mbretëresha e Anamoravës’.

Pusho në Parajsë mes Engjëjve ku ke vendin!

Ma mall e shpirt të lënduar do të kujtojë përjetë, miku yt Marjani.