Dedikimi i profesorit për mësuesin e tij të parë, Isuf Ismajli

Profesori dhe krijuesi, Tahir Arifi, ka bërë një dedikim emocional për mësuesin e tij, Isuf Ismajli, i cili e ka përmbyllur karierën e punës, për të vazhduar moshën e tretë si pensionist.

“Mësuesit tim të parë Isuf Ismajlit, në ditëlindjen e gjashtëdhjetë e pestë”, ka shkruar Arifi.

Postimi i plotë:

E pashë, të kishin uruar kaq shumë, më shumë për dyzet e katër vite mësues se sa gjashtëdhjetë e pesë vite jetë.

I pashë edhe fotografitë, dalë në stinë të ndryshme dhe e dija se nuk kishim një të tillë bashkë në klasën e parë.

E po, varfëri ishte atëherë e të rrallë aparatët fotografikë dyzet e dy vjet më parë.

Të qetë e kishe zërin mësuesi im, nuk ta mbaj mend tonin e lartë. Elegant dukeshe mësuesi im – të doja (të donim) edhe për këtë. Serioz ishe mësuesi im, rrallë qeshje, ndonëse fytyrën të qeshur e kishe.

Ndoshta, pse na i lexoje neve vuajtjet e varfërisë e sytë plot entuziazëm. I bukur ishe mësuesi im – edhe i ri, modeli i parë i njeriut që doja të isha.

T’i mbaj mend lotët për mikun mësues të arrestuar për idetë politike. I mbaj mend ëmbëlsirat që na i blije në festa (“shiçera” u thonim ne, dhe ruaje një pako për klasën tjetër).

Madhështor ishe mësuesi im, me zërin, me mënyrën si na shihje e shprehje dashurinë, me pamjen, me përkushtimin që pastaj e kuptova.

Unë isha ai nxënësi në bankën e parë te dritarja që kënaqesha tek të shihja dhe çmendesha nëse ndonjë lëvdatë thoje ndojherë, sepse kujdeseshe mos ta lëndoje dikë duke lavdëruar dikë tjetër.

Sot, dyzet e dy vjet më vonë, unë jam po ai nxënësi në bankën e parë e ti po ai mësues – mësuesi im.

Në mua ka një pjesëz nga shpirti yt i madh dhe shpresoj të të kem bërë pakëz krenar.

Dyzet e dy vjet e kam ruajtur imazhin tënd dhe sot vendosa të ta them, për të të falënderuar, për të shprehur mirënjohjen e përjetshme, për të treguar se ti do t’i bësh nëntëdhjetë e nëntë vjet jetë, po në sytë e mi do të mbetesh përgjithmonë i ri – përgjithmonë mësuesi im.

Gëzuar, mësuesi im i parë!

Zoti të ruajt e të faltë shëndet e gëzime!