Dedikimi prekës i Ali Topallit për Blerim Zhabarin: Ishe më i miri ndër ne!

Qindra njerëz i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit veprimtarit, gazetarit e shefit të Zyrës për Informim në Vushtrri, Blerim Zhabari, në varrezat e fshatit Novolan, shkruan Mediafokus.info.

Në emër të Kolegjiumit për Transparencë, ka folur zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës dhe miku i Zhabarit, Ali Topalli, i cili në një fjalim plot emocion, tha se ‘Zhabari ishte më i miri ndër ne’, vijon Mediafokus.info.

Fjalimi i plotë i Ali Topallit:

E nderuara familje Zhabari,

Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi mortor – , shokë, miq e farefis

Me pikëllim të thellë sot e pranuam lajmin e shkëputjes nga jeta të Blerimit, shokut e mikut tonë të madh, i cili aq sa i familjes, ishte, është dhe do të mbetet në zemrat e një rrethi të gjerë e të madh të shokëve e miqve, të cilët i deshi dhe i nderoi si rrallë ndonjë tjetër midis nesh.

Prandaj, e dashura familje Zhabari, më lejoni që t’ju shprehim ngushëllimet më të thella me lutjen te i Madhi Zot, që shpirtin e Blerimit ta freskojë me dritën hyjnore, sepse këtë dëshirojmë për Blerimin të gjithë ne që e kemi njohur këtë burrë, i cili tërë jetën jetoi dhe veproi si u ka hije burave të mëdhenj, duke qenë fjalëmbël ndër shokë dhe një pikë djerse e pastër dhe e fortë për tokën, popullin e atdheun, që u shërbeu me një azgënllëk të jasshtëzakonshëm, duke u treguar i gatshëm për të sakrifikuar gjithçka të vetës e të familjes së tij.

Blerim i dashur!

Më lejo që me ketë rast ta përkujtojë fillimin e viteve 90-ta, kur ti me djalërinë tënde dëshmove burrëri e guxim, duke qenë njëri nga veprimtarët e palodhshëm për idealet e larta të lirisë për këtë anë.

Ishin ato vitet e krenarisë e të sakrificës që ti i kishe dhe pa u kursyer me to, ia shtrove udhën Lirisë.

Për këtë Liri shumë ke ëndërruar e shumë na ke folur dbe shumë je përjekur, prandaj, miku ynë, na vije tepër keq që kaq pak arrite ta shijosh, mirëpo ja kështu paska qenë e shkruar. Duhet të pajtohemi dhe të ngushëllohemi me faktin se ti, pjesën tëndë tënde të jetës e bëre si i ka hije qenies së vërtetë njerëzore.

I dashur Blerim,

Të ikësh kaq papritshëm dhe kaq befasisht?

Na ke lënë pa fjalë, na ke lënë pa frymë, madje si për moshën tënde që ende premtonte jetë, e them nga dhembja e me pikëllim se me ty sikur edhe fati u tregua i padrejtë, i cili të mori herët nga kjo botë e përkohshme për dërgimin tënd në përjetësi, ndaj sot, themi faleminderit o Zot që e jetuam këtë kohë me ty.

Ne që mbetëm pa ty, do të kujtojmë shoqërimin tonë, mikpritjen tënde, sjelljet e tua njerëzore, këshillat e tua tepër dashamirëse se si të ecim, si të punojmë e si të sillemi.

Blerim i dashur,

Vitet që ti i kalove me ne ishin vite të krenarisë e burrërisë, vite të guximit e sakrificës, duke u dëshmuar për këtë si veprimtar i palodhshëm, mirëpo ja që kështu paska qenë e shkruar dhe duhet të pajtohemi e të ngushëllohemi me fatin se ti pjesën tëndë e bërë ashtu siç i ka hije qenies së vërtetë njerëzore.

Pra, të gjitha këto janë dëshmia më e mirë për ty se si ishe e kush ishe, ndaj lutemi të gjithë së bashku që për hir të bamirësive tua, zemërgjerësisë sate sinqeritetin tënd që Zoti ta ketë rezervuar një vend të zgjedhur në parajsë, ku shpirti yt bujar do të pushojë përjetësisht në qetësi.

Blerim, e them me vetëdije të lartë dhe me këtë besoj që pajtohen edhe kolegët tjerë, zyrtarë të informimit publik, se ti ishe më i miri ndër ne.

Zoti e bekoftë shpirtin tënd,

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës

Lamtumirë, miku ynë Blerim!/Mediafokus.info/