Dedikimi prekës i nipit për gjyshen që nuk u mbijetoi plagëve pas tragjedisë së kamionit në Gjilan

Derisa po bëheshin përgatitjet për të shënuar 7 marsin, Ditën e Mësuesit të vitit 2019, në Gjilan ndodhi tragjedia, kur një kamion pa frena shkaktoi tmerr në këtë qytet, me bilanc tragjik: dy viktima e dhjetëra të lënduar, shkruan Mediafokus.info.

Afaristi Qerim Çoçaj vdiq në vend, derisa e moshuara Fatime Islami (84 vjeçare), ndërroi jetë pas disa javësh (më 30 prll).

Nipi i saj, Granit Islami, thotë për Mediafokus.info se këtë ditë tmerri nuk do ta harrojnë asnjëherë.

“Ka qenë ditë e tmerrshme, sidomos për familjen tonë. Sa herë vjen 7 marsi, kur të gjithë bëhen gati në njëfarë mënyre kremtojnë ditën e mësuesit, ne kemi dhimbje. 55 ditë nga aksidenti, gjyshja nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Me dhembje të thellë e kujtojmë gjithmonë me mall të pashuar”, ka thënë Islami për Mediafokus.info.

Dhembje për humbjen e të moshuarës e ka shprehur edhe kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Ka qenë pasdite horrori 7 marsi pasi humbi jetën një afarist në po atë ditë. Por, dhimbja për ne u dyfishua pasi e moshuara apo nena (si i themi ne gjysheve në Gjilan), Fatime Islami, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të asaj ditë. Familjes Islami i shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, tha Haziri për Mediafokus.info.

Më 7 mars 2019, një kamion me targa të Pejës, saktësisht në orën 14:05, shkaktoi aksident të tmerrshëm në qendër të Gjilanit, duke goditur disa vetura, si pasojë e mosfunksionimi të sistemit të frenave dhe për pasojë vdiqën Fatime Islami e Qerim Çoçaj.

Shoferi i kamionit, Mustafë Avdiaj, u ndalua në mbajtje, sikur edhe pronari i kompanisë.

U mbajtën disa seanca gjyqësore dhe Gjykata Themelore e Gjilanit dënoi me katër vite e tetë muaj burg shoferin, Mustafë Avdiaj, ndërsa me dy vite e tetë muaj burg është dënuar pronari i kompanisë “Uji i Pejës”, Vigan Tigani.

Raportimet për këtë ngjarje qenë të ngutshme e shpeshherë joprofesionale. Disa media nxituan të konstatonin se bëhet fjalë për akt terrorist, por që këtë e demantoi shpejtë prokuroria dhe policia e shtetit.

Tragjedia që e përgjaku 7 Marsin 2019, vlerësohet si rast i paprecedentë në Kosovë.

7 marsi vjen në Gjilan gjithmonë me dhembjen dhe trishtimin e asaj “ore të kobshme” të para dy viteve. /Mediafokus.info/