Deklaratat e Vuçiqit, Hoti i shkruan letër QUINT-it

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti i ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve anëtare të QUINT-it dhe ambasadorit të BE’së në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar reagimin e tyre, pas deklaratave nxitëse të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, si dhe presionit dhe kërcënimeve të Listës Serbe, ndaj pakicave jo serbe në Kosovë, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

‘’Këto deklarata si dhe presioni e frikësimi i pakicave jo-serbe, kanë për qëllim të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe të prishin proceset demokratike në vendin tonë. Këto sjellje janë të pa pranueshme. Ne kërkojmë nga ju që të merrni të gjitha masat e nevojshme ndaj kësaj qasje të rrezikshme dhe ta bëni të qartë se ndërhyrja në proceset politike në Kosovë nuk mund të kalojë pa pasoja, për ata që janë të përfshirë’’, ka shkruar Hoti.

Hoti për këtë çështje reagoi edhe përmes “Facebook”-ut. Ai tha se këto deklarata të Vuçiqit duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropian.

“Presidenti i Serbisë kërkon rikthimin e shërbimit të detyruar ushtarak në Serbi shkaku i Kosovës! Këto deklarata duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropian. Por, ne nuk brengosemi. Ne kemi ushtrinë tonë. E gatshme, dhe tanimë pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqeruajtëse. Më me qetësi, më me qetësi!”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.