Dekretohen shtatë prokurorë të rinj
Me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, ka dekretuar sot shtatë prokurorë.
Këta prokurorë janë dekretuar me mandat fillestar për tri vite, dhe do të sistemohen në Prokuroritë Themelore në Prishtinë, Pejë, Gjakovë dhe Ferizaj.
Në ceremoninë e betimit para Presidentes së vendit, prokurorët e rinj janë betuar se “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”.
Ndërkaq, Presidentja Osmani ka theksuar se shteti ligjor dhe i së drejtës është parakusht për funksionimin e shtetit dhe shoqërisë, duke u bërë thirrje prokurorëve të rinj që në punën e tyre të jenë të pakompromis ndaj krimit e korrupsionit.
Njëkohësisht, Presidentja ka theksuar se integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazi për të gjithë dhe besim qytetar.