Del sërish para gjykatës Nuhi Mavrovqani, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij

Sot, ka nisur seanca e dytë e rigjykimit ndaj Nuhi Mavorvqanit, i cili në dhjetor të vitit të kaluar u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij, Sabiles, më 25 korrik të vitit të kaluar në Berivojcë të Kamenicës.

Mavrovqani ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Gjilan, për veprën penale vrasje e rëndë, pasi kishte vrarë bashkëshorten e tij, Sabile Mavrovqani. Mavrovqani, pati pranuar se e ka vrarë gruan e tij.

Por në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit e anuloi dënimin me burgim të përjetshëm kundër të akuzuarit Nuhi Mavrovqani.

Në procesin e parë gjyqësor, trupi gjykues kishte vlerësuar që i njëjti e kishte goditur disa herë gruan me shufër metalike në pjesë të ndryshme të trupit, derisa 34-vjeçarja kishte mbetur pa ndjenja dhe ndërroi jetë, raporton Sinjali.

Në atë seancë u vendos që të mos vazhdohet tutje pa pranuar raportin e ekzaminimit psikiatrik të cilit Mavrovqani i është nënshtruar muaj më parë, për çka Instituti i Psikiatrisë ende nuk kishte dërguar të gjeturat në gjykatë.