Haziri kritikon ashpër Kurtin për shkuarjen në Japoni në kohën kur vendi po përballet me greva

Përkundër përballjes me greva, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Japonisë ku do të marr pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe.

Por, për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Hazirin, Kosova pos grevës në arsim, ka edhe probleme tjera, prandaj largimin e Kurtit nga Kosova, e sheh “si non sens”.

“Greva e dytë është kriza në energji dhe paralajmërimet, po ashtu, të vështira për përballimin e të ftohtit në Kosovë. Kriza e tretë ka të bëj me inflacionin dhe gjendjen ekonomike”, tha Haziri për Albanian Post.

Ai konsideron që gjetja e kohës nga kryeqeveritari për të marr pjesë në ceremoni mortore në Japoni në këtë kohë krize, “tregon krizë të thellë në këtë mentalitet qeverisës”.

Haziri ka ironizuar me Kurtin duke thënë se “qysh nuk e pati kryeministri asnjë shok që ia do të mirën”.

“Dihet se ku të çojnë shokët e mirë në kohë krize”, shtoi ai.