Dënohen me 9 vjet burgim dhe 2.400 euro gjobë dy të akuzuar për vjedhje
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve I. A. dhe E. H..
Të akuzuarit me datë 15.11.2020, pas mesnate, në fshatin Malishevë të Gjilanit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo personin tjetër, kanë kryer veprën penale ‘vjedhje e rëndë’ në dëm të të dëmtuarit M. I.
Me përdorimin e forcës, me një mjet të fortë kanë hapur një dritare në katin përdhesë, duke depërtuar brenda, ku kanë demoluar dhomat e shtëpisë dhe kanë marr një kasafortë, një armë AK-47, një pushkë gjuetie, një pushkë pumparicë, një pushkë karabinë, 15 fishekë të kalibrit 12A, 33 fishekë të kalibrit 9mm dhe 57 fishekë LR.22.
Të akuzuarit të njëjtën ditë në mënyrë të paautorizuar e në shkelje të ligjit të zbatueshëm për armët, kanë tentuar të shesin armët e vjedhura.
Të akuzuarit I. A., ditën e njëjtë, në ora 16:25, në fshatin Malishevë, gjatë kontrollit nga policia e Kosovës, i është gjetur lëndë narkotike në sasi 0.62 gramë e llojit kokainë.
Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve të akuzuarin I. A., për veprat penale në bashkëkryerje ‘vjedhje e rëndë’, ‘mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, në bashkëkryerje ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ dhe ‘posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 6 muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 1.400 euro.
Të akuzuarin E. H., për veprat penale: 1) në bashkëkryerje vjedhje e rëndë, 2) mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe 3) në bashkëkryerje importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, i shqipton dënim unik në kohëzgjatje prej 4 vjet e 6 muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 1.000 euro, thuhet në njoftimin e Gjykatës.