Dënohet me burgim të përjetshëm burri nga Kamenica, vrau gruan me shufër metalike

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Nuhi Mavrovqani nga Kamenica, për vrasjen e gruas së tij, raporton gazeta online Mediafokus.info.

Mavrovqani e kishte pranuar pjesërisht fajësinë për vrasjen e bashkëshortes, por që ky pranim i fajësisë nuk ishte pranuar nga gjykata, teksa sot është shpallur aktgjykimi ndaj tij nga trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Gjilanit.

Në bazë të këtij aktgjykimi, i akuzuari Nuhi Mavrovqani është dënuar me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri N.M., më 25 Korrik 2020, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.M., ashtu që pas fjalosjes, i njëjti me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e ka goditur në dorën e majtë dhe në kokë, e cila pasi është rrëzuar në dysheme, përsëri ka vazhduar ta godasë disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse./Mediafokus.info/