Dënohet për marrje ryshfeti zyrtari i Gjykatës

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit B. Rr., dhe e ka dënuar me 7 muaj burgim si dhe me 500 euro gjobë për marrje ryshfeti.

I akuzuari me datë 15.02.2019, rreth orës 17:30 minuta, në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar – ndihmës referent i ekzekutimeve, me qëllim që vetës t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar dhe marr ryshfet para në shumë prej 20 euro, nga i dëmtuari A. S., i akuzuar për rrezikim të trafikut publik.

I akuzuari këto të holla i ka pranuar, në mënyrë që të bisedoj me gjyqtaren e çështjes për ta mbyllur rastin.

Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 7 muajve dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 euro.

Gjithashtu është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit në institucionet publike prej një viti.

Gjykata e ka liruar nga akuza për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.