Denoncoi veprimet e Serbisë ndaj kosovarëve, ministria e Gërvallës i jep vërejtje diplomatit Haxholli
Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovë në Beograd, Fatmir Haxholli, ka marrë një vërejtje të çuditshme nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila udhëhiqet nga ministrja Donika Gërvalla.
Hoxhilli, i cili vazhdimisht ka denoncuar veprimet e shtetit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës, ka bërë me dije se për reagimet e tij sot ka marrë një vërejtje nga MPJD-ja.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haxholli është shprehur i befasuar me këtë vërejtje.
“Për reagimet dhe deklarimet e mia të vazhdueshme në mbrojtje të interesit publik, qytetarë dhe para së gjithash në mbrojtje të interesit shtetëror, unë sapo mora një Vërejtje me shkrim nga MPJD. Njëherësh për dallim prej pafund rekomadimeve, referencave, e vlerësimeve, në MPJD dhe jashtë saj, kjo është Vërejtja e parë në përvojen time profesionale, institucionale. Uroj që kjo të jetë edhe e fundit”, ka shkruar ai.
Ai ka vlerësuar se ka menduar që për veprimet e bëra do të vlerësohej e jo të dënohej.
“Më duhet ta them që nuk kam pritur që duke qenë i zëshëm kundër veprimeve të Serbisë, do të vlerësohem apo avancohem në ndonjë mënyrë, dhe as që ka qenë qëllim i imi diçka e tillë, por më duhet ta them dhe ri-përserisë, që edhe sikur masa korigjuese ndaj meje të ishte vet suspendimi dhe largimi nga MPJD, në asnjë rast, nuk ushqej asnjë dilemë, që në të gjitha komunikimet e mia pararake, unë të veproja njësoj, përsëri”, ka shkruar ai.
“Për fund, përderisa në Serbi bëhet garë se kush pronocohet më shumë dhe më ashpër kundër Republikës së Kosovës, pa asnjë argument dhe pa asnjë të drejtë, me mirëkuptim do t’i kërkoja hirearkisë së MPJD-së, porositësit dhe shqiptuesit, se ku, kur dhe në cilin aspekt, deklarimet e mia kanë shkuar ndesh me mandatin e Zyrës dhe me prioritetet e MPJD-së”, ka shkruar Haxholli.
Më tej, ai ka treguar se nuk do të ankohet ndaj vërejtjes së dhënë.
“Në mungesë të një arsyetimi eventual përmbajtësor, unë Vërejtjen ndaj meje me dokumente/dëshmi shoqëruese sikurse jane postimet e mia bashklidhur asaj, do t’i mbaj si si Referencë dhe Rekomandim, e kësisoj nuk do t’i ankimoj juridikisht. Ju falenderoj që së paku përmes Vërejtjes njohët punën time, sepse në një kulturë ndëshkuese dhe përjashtuese, do të befasohesha vetëm nga një mirënjohje a vlerësim”, ka shkruar ai,
Çka denoncoi Haxholli?
Fatmir Haxholli kohëve të fundit ka qenë shumë aktiv në denoncimin e veprimeve të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës që po kalojnë tranzit nëpër shtetin serb.
Edhe dje ka qenë Haxholli ai që ka njoftuar se Serbia e ka arrestuar një shqiptar, të cilin e ka ngarkuar me akuza për gjoja krime lufte në betejën e Koshares.
“Sipas njoftimit të tillë të ndarë me mua nga njerëz vullnetmirë, Ivica Daçiq, i ka njoftuar mediat sot për ndalimin e një qytetari me iniciale F.K i lindur më 1968, dhe kjo sipas njoftimit gjoja duke e ngarkuar për ngjarje gjatë periudhës maj të vitit 1999, në luftën e lavdishme të UÇK-së në Koshare”, ka shkruar Haxholi.
Ai ka shkruar se nëse është dikush që duhet të ndiqet për krime lufte është shteti serb.
“Të vetmit që kanë bërë krime në Kosovë, Koshare, ku forcat miltare dhe paramilitare pësuan fiasko, janë forcat serbe, dhe nëse dikush duhet ndjekur për krime lufte në Kosovë dhe Koshare, ai do të duhej të jetë pjesëtarë i atyre forcave”, është shprehur.

