Deputeti i PD-së: Rezoluta për Srebrenicën nuk u votua veç që të mos mërzitet Vuçiqi

Sot, Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka kaluar një rezolutë me anë të së cilës dënohej gjenocidi serb në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Për këtë, foli iniciuesi i kësaj rezolute, Tritan Shehu, i cili tha se ajo rezolutë ishte një material krejt i domosdoshëm, sepse sipas tij, Shqipëria ka një vakum shprehjesh, rezolutash e vendimesh për gjenocidin në Srebrenicë por edhe vende të tjera.

Shehu akuzoi mazhorancën për mosvotimin e kësaj rezolute, duke thënë se ky ishte një qëndrim absurd.

“Këto janë gjëra që bëhen nga ata që nuk duan ta votojnë këtë rezolutë, duke dëmtuar imazhin edhe të Parlamentit të Shqipërisë, duke marr një qëndrim absurd që unë nuk e prisja. Mazhoranca i ka numrat dhe bëri që ky material të mos i ketë numrat”.

“Ky material nuk shkon përpara me kompromise, është material shumë standard, për një gjenocid që është të gjitha gjykatat ndërkombëtare, nga OKB dhe Parlamenti Evropian me emrin ‘gjenocid’ dhe unë nuk e di se çfarë kompromisi mund të kërkojnë në këtë gjë”, është shprehur Shehu në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se në Shqipëri ende nuk ekziston asnjë rezolutë që e dënon gjenocidin serb në Kosovë gjatë luftës së fundit, por tha se kjo pritet të ndodh javën tjetër.

“Sot e përfunduam dosjen kompleteuse për të paraqitur në Parlamentin Shqiptar javën tjetër për një mocion me debat të përfunduar me një rezolutë ku dënohet gjenocidi serb në Kosovë, në një hapësirë kohore vetëm 98-99, por edhe më të gjere”, tha ai.