Dëshmitarët e ndoqën derisa e ndaluan gruan që e aksidentoi për vdekje 13-vjeçarin dhe nuk u ndal fare

Një grua që vrau me makinë një djalë 13-vjeçar dhe u largua nga vendngjarja është kapur pasi dy dëshmitarë e ndoqën atë për rreth 2 km në Britani.

29 vjecarja Mahwise Rani, 29, po drejtonte me shpejtësi me makinën e saj VW Polo kur goditi për vdekje të voglin Mason O’Grady, në një kryqëzim rrugësh me semafor në Birmingham.

Fëmija u ngrit në ajër rreth 20 metra nga goditja dhe u shpall i vdekur në spitalin e fëmijëve në Birmingham.

Dje në gjykatë u tha se Rani po drejtonte me shpejtësi 90 km/orë në një zonë me limit prej 60 km/orë, kur goditi Mason i cili po kalonte në vijat e bardha me familjen e tij.

Ajo nuk kishte tentuar të frenonte dhe vazhdoi të drejtonte për afro 2 km, megjithëse xhami i përparmë ishte dëmtuar nga përplasja.

Por dy shoferë që dëshmuan për ngjarjen, e ndoqën atë dhe arritën ta ndalonin Ranin deri në ardhjen e policisë.

E akuzuara pranoi vrasjen nga drejtimi i pakujdesshëm dhe u burgos për tre vjet nga gjykata e Birmingham.

Nëna e djalit, Hayley tha: “Mao ishte një shpirt i dashur, i adhuruar nga të gjithë. Ne ndjejmë dhimbjen e humbjes së tij dhe nuk e besojmë se është bërë një vit nga ndarja”.

Rreshteri i policisë Alan Hands, shtoi: “Rani po drejtonte mbi normat e shpejtësisë kur goditi Mason dhe nuk bëri asgjë për ta ndihmuar. Ishte vetëm falë reagimit fantastik të shoferëve në vendngjarje që ajo u detyrua të ndalonte. Veprimi i tyre tregoi një frymë të pabesueshme komunitare dhe ndihmuan që shkelësja të jetë tani prapa hekurave”.