‘Dhembja mban emrin tënd’ – poezi që nxisin kureshtjen e lexuesit

Etnore ARIFI

Jeta me shumë sfida, atdhedashuria e ndjenja për dashurinë “e pamundur” janë preokupimi i autorit Hevzi Mustafa, në përmbledhjen me poezi “Dhembja mban emrin tënd”, e cila para pak kohe u botua nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, e që njëkohësisht është dhe libri i tij i parë poetik.

Cilat janë sfidat me të cilat është ballafaquar autori? Pse ndien aq mall për atdheun? Kush dhe pse ishte dashuria “e pamundur” e tij? – janë vetëm disa nga pyetjet që ngjallin kureshtjen tonë sapo shfletojmë faqet e këtij libri.

Kjo përmbledhje poezish na i paraqet të tri këto preokupime apo dhembje që s’janë vetëm të autorit, në atë mënyrë që ndikojnë drejtpërdrejtë në mendjet tona duke na bërë ithtarë të tij.

Autori me mjeshtëri e tërheq lexuesin në rrugëtimin e tij që në poezinë e parë “Ëndërr hyjnore” për të vazhduar dorë më dorë deri në poezinë e fundit “Dhembja mban emrin tënd” e cila mban kurorën e këtij vëllimi.

“Studenti”, “Shoqërim i dhunshëm”, “Rrënjët e përgjakura”, “Dimëroj si boem”, “Të përbëj në një ylber”, “Le të presë dashuria”, “Përsëri në Kopenhagë”, “Orkidea ime”, “Dhembja mban emrin tënd” etj., janë vetëm disa nga titujt e përfshira në këtë vëllim që të ngjallin trishtim, inat, zhgënjim, por pastaj edhe shpresë e gëzim që dalin të fshehura si xhevahir i rrallë nëpër vargjet e tyre.

Dashuria për të krijuar diçka të bukur, duke i shprehur dhe ndjenjat e veta (që mund të jenë dhe tonat njëkohësisht), e kanë bërë këtë përmbledhje me poezi një thesar i cili bartet te lexuesi që në vargjet e para.

Me mjeshtërinë e tij poetike, Hevzi Mustafa të tërheq zvarrë nëpër shtigje e vargje poetike, ku pas një “udhëtimi” tejet mbresëlënës, në fund të lë me ndjenjën e lirisë e cila shijohet tërësisht përmes vlerës artistike.