‘Dhoma e oxhakut’ ishte karakteristikë e shtëpive të vjetra në Anamoravë

Në anën që e shfrytëzonin njerëzit, kishte një shtrojë prej kashte e cerge, që quhej “shtrum” dhe kornizohej me dru për të mos u shpërndarë kashta, kurse në gjysmën tjetër lidheshin qetë e zgjedhës, shkruan Mediafokus.info.

Në fshatrat malore të Anamoravës, deri para viteve të shtatëdhjeta, kryesisht janë ndërtuar shtëpi përdhese, me dy ose tri kthina që ishin dhoma e zjarrit, një dhomë tjetër dhe hajati. Ishin funksionale për kohën dhe ndërtoheshin më lehtë. Në disa raste të rralla kishte edhe me tri ndarje. Kthina e tretë përdorej për bagëti. Njëra kthinë shfrytëzohej për ndejë e fjetje të familjes, ndërsa tjetra, për strehimin e kafshëve. Hyrja ishte e njëjta, si për njerëz, ashtu edhe për kafshë.

Kishte shtëpi, ku dhoma e ditës, që njihej si dhoma e oxhakut, ndahej mes njerëzve dhe kafshëve. Në anën e djathtë që e shfrytëzonin njerëzit, kishte një shtrojë prej kashte e cerge, që quhej “shtrum” dhe kornizohej me dru nga të dyja anët për të mos u shpërndarë kashta. Dy anët tjera ishin të mbështetura për muri.

Kur hynin qetë (kijet) brenda, njerëzit qoheshin në këmbë për t`i nderuar si kafshë të dobishme që ishin. Jo për ndonjë besëtytni tjetër. I rehatonin qetë e zgjedhës dhe lopët e qumështit dhe pastaj shtronin darkën për vete. Shtëpi të tilla ka pasur nëpër fshatrat e Gjilanit, gjithandej. Ishte kohë varfërie, vijon Mediafokus.info.

Shtëpitë me trapazan

Aty nga vitet ’70-ta, shtëpitë filluan të bëhen me material prej tullave, ndërsa çatitë mbuloheshin me tjegulla. Shtëpi të këtilla, me një ndryshim të vogël, ndërtoheshin edhe në Karadak. Përpos pjesës së banimit, në Karadak shtohej edhe pjesa ku mbahej bagëtia. Familjet që ishin pak më të pasura, ndërtonin shtëpi me një kat e gjysmë dhe në dy kate. Kati përdhese përdorej si shtëpi zjarri, e hera–herës, gjysma e tij përdorej për strehimin e bagëtisë së trashë. Në katin mbi përdhese, zakonisht kishte dy e ndonjëherë tri kthina. Njëra prej tyre shërbente vetëm për miq. Në të, veç oxhakut në mes, që nga dera fillonte trapazani, që shërbente për vënien e drurëve të prerë, ndërsa mbi trapazan qëndronte shtroja e mbuloja për miq.

Oxhaku, pjesa më e rëndësishme e shtëpisë

Pjesë e rëndësishme e shtëpive të vjetra ishte oxhaku. Ishte një oxhak i madh ku hudheshin drurë të gjata dhe ku piqeshin bukët me saç. Në mbrëmje, pranë tij, zakonisht uleshin burrat e shtëpisë, jo vetëm për t`u ngohur, por edhe sepse oxhaku konsiderohej balli i vendit. Aty i ndeznin edhe cigaret.

Ndërkaq, në fshatrat fushore, shtëpitë e banimit u takonin objekteve të tipit ballkanik me elemente vendore. Në ballinë kishin ballkone të mbyllur, mbështetur vetëm në strukturën ballore të murit, e ndonjëherë për mbajtës kishin shtyllat prej druri që përfundonin me kapitel, hera-herës të stilizuar me ndonjë gravurë. Zakonisht, në fshatrat fushore, banesat ose kane qenë përdhese, ose dykatëshe, sipas pozicionit ndodhte edhe që ndonjëra prej tyre të kishte edhe gjysmë katin. Kryesisht kati i dytë i tyre është ndërtuar me qerpiçë, vijon më tej shkrimi i Mediafokus.info

Kohët e fundit, shtëpitë e reja, në fshatra fushore, në ato malore dhe në qytet gjithsesi, ofrojnë zgjidhje kompozicionale evropiane, shpeshherë me elemente nga tradita, sidomos duke ruajtur oxhakun në ballë të sallonit, që shërben për ndejë dhe mikpritje. Oxhaku nis me kaminën.

Roli i mjeshtërve popullorë vendorë, është jashtëzakonisht i madh, edhe për planimetrinë dhe kërkesat e nevojat e akëcilës familje, por edhe për murimin me gurë dhe punën me dru. Ndërtimin e shtëpive në Gjilan dhe fshatrat e tij fushorë e malorë e bënin zakonisht mjeshtrit vendorë.

Shtëpi të vjetra ekzistojnë ende në disa lagje të largëta të fshatrave të Karadakut. /Mediafokus.info