Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: S’është marrë asnjë vendim për pagën minimale 500 euro në takimin me Hekuran Muratin

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një komunikate për media ka sqaruar se në takimin e thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nuk është marrë asnjë vendim rreth nivelit të pagës minimale.

“Takimi ka qenë konsultues dhe palët pjesëmarrëse kanë dhënë mendimet e tyre dhe propozimet rreth kësaj çështje”, thuhet në komunikatë.

Nga DhTIK kanë thënë se s’janë kundër rritjes së pagës minimale, por kanë kërkuar që një vendim i tillë duhet të merret vetëm atëherë kur Kosova të ketë institucione funksionale dhe fuqiplota, të bëhet një analizë e thelluar e gjendjes ekonomike, dhe propozimi për pagën minimale të vijë përmes Këshillit Ekonomiko-Social, e jo përmes Ministrisë së Financave.

“Marrja e vendimit ad-hoc vetëm sa do të vështirësoj situatën ekonomike dhe ku më të dëmtuarit do të jenë qytetarët”, thuhet në njoftim

Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit privat pas takimit me ministrin Hekuran Murati kishte deklaruar se janë pajtuar që paga minimale të jetë 500 euro.