Dhunohet një 18-vjeçare në Ferizaj, ndalohet 42-vjeçari i dyshuar

Një vajzë 18-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga një 42-vjeçar në Komunën e Ferizajt.

Rastin e ka konfirmuar drejtori i policisë rajonale në Ferizaj, Basri Shabani.

Ai ka thënë se i dyshuari është i lindur në vitin 1980, ndërsa viktima është e lindur në vitin 2004.

Sipas Shabanit, 42-vjeçari dyshohet se ka pasur të kaluar kriminale, teksa është arrestuar të dielën dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Ka ndodh një dhunim. I dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit. I dyshuari është me të kaluar kriminale”, ka thënë Shabani.

Kujtojmë se së fundmi në Kosovë janë mbajtur edhe protesta që kanë kërkuar reagimin e institucioneve ndaj rasteve të tilla, pas rastit të fundit të 11-vjeçares që dyshohet se u dhunua nga më shumë se 6 persona në Prishtinë, rast ky që nxiti reagime të shumta përfshirë këtu edhe reagimet e krerëve të shtetit.