Të rishikohet Ligji për faljen e borxheve ndaj Institucioneve Shtetërore dhe Ndërmarrjeve Publike

Meqenëse Qeveria vazhdon të subvencionojë dhe ndihmojë qytetarët në formën e ndarjes së mjeteve financiare si ndihmë nga shteti, do të ishte e mirëseardhur edhe për shumë kategori të familjeve në Kosovë rishikimi i ligjit Nr.05/L-045, për faljen e borgjeve publike, duke u mundësuar familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar, t’u falet borgji i akumuluar deri në fund të vitit 2021.

Përderisa Qeveria aktuale në Kosovë ka ndjekur politikat sociale të ndarjes së mjeteve buxhetore ndaj kategorive të cilat veçse janë të punësuar dhe u ka dhënë mbështetje financiare në mënyra të ndryshme, kategorinë që nuk e ka marrë në konsideratë asnjëherë, ka qenë kategoria e të papunëve që jetojnë me prindër pensionistë, të cilët shpeshherë janë familje të gjera me fëmijë, që nuk kanë asnjë të ardhur, jetojnë me pensionet e prindërve të moshuar.

Kjo kategori nuk ka përfituar asnjëherë, pasi që gjatë shpërndarjes së mjeteve financiare kjo kategori është anashkaluar për arsye se jetojnë me kategorinë që financohen nga shteti “prindër pensionistë” dhe nuk u ka takuar ndihma e shtetit.

Tashmë u janë shpërndarë vërejtjet familjeve dhe bizneseve për borgjin e mbledhur ndër vite, ndër ta edhe kësaj kategorie, paralajmërim që së shpejti do të kenë punë me përmbaruesit për borgjin, duke mos marrë për bazë asnjëherë mundësitë e vogla dhe vështirësitë që kanë, e shumë nga ta edhe me të sëmurë brenda familjeve, gjë që e vështirëson edhe më tej jetën brenda bashkësisë.

Një rishikim i ketij ligji, do t’i hapte rrugën mundësisë së shlyerjes/faljes së borgjit ndaj Institucioneve Shtetërore dhe Ndërmarrjeve Publike deri më 31.12.2021 duke ua lehtësuar jetën dhe presionin psiko-social shumë familjeve që u shkaktohet për çdo ditë e më shumë nga pothuajse shtrenjtimit të çdo artikulli jetësor dhe vështirësisë që kalojnë në përgjithësi.

Prandaj, edhe një presion i mbledhjes së borgjit nga shteti për keto familje, nuk do të ishte më shumë përveçse t’i thuhet të gjejnë mënyrën dhe të largohen nga vendi.

Dihet qartë se këto 3-4 vitet e fundit pandemia ka vështirësuar shumë jetën e qytetarëve, në të njëjtën kohë ka pamundësuar kryerjen e obligimeve ndaj Institucioneve Shtetërore dhe Ndërmarrjeve Publike, prandaj propozime të tilla që do ta ndihmonin familjen kosovare do të ishin të mirëseardhura.

Qeveria aktuale meqenëse ka patur idetë e shpërndarjes së qindra milionë eurove ndaj kategorive të ndryshme, edhe një ndihmë ndaj kësaj kategorie dhe shumë familjeve të tjera që janë në prag të mbijetesës do të dëshmonte se i ka parasysh dhe nuk i lë në harresë asnjëherë.

Autor: Msc. Skender Berisha