Letër babait të ndjerë: Ti ishte personi më i mirë në tokë

Një vit më parë pata ditën më të keqe të jetës time, kur mora lajmin se ti ishte goditur nga një shofer në vendkalimin për këmbësorë. Ishte si një film i keq. Edhe sot pyes veten: pse bash ty të ka ndodhur? Pse? Gjatë 4 muajve më të vështirë të jetës sime, unë zgjohesha vazhdimisht natën dhe përjetoja një shtrëngim, gjithmonë duke shpresuar se e gjitha do të ishte vetëm një makth. Gjithmonë iu luta Zotit: “Të lutem, më thuaj që është vetëm një ëndërr e keqe, të lutem!” Por, fatkeqësisht, nuk ishte ëndërr.

Ti ishe personi më i mirë në tokë! Nuk kishte njeri më të dashur, më bujar se ti. Të gjithë ata që të njohën, e shohin kështu. Edhe sot tronditen njerëzit kur më pyesin për ty dhe nuk kishin dëgjuar për këtë ngjarje.

Babi, pas 4 muaj luftimesh, fatkeqësisht e humbëm luftën. Unë besova fort në një mrekulli dhe të gjitha veprat e mira që ke bërë, shpresoja se do të shpërbleheshin dhe do të merrje një shans të dytë.

Kishte shenja që vërtetonin se ti kishe ndjesi për ne!

Shenja më e madhe ishte kur mbesa jote e ëmbël, Alessia, të foli, të puthi, të ledhatoi dhe ti qaje. Ti e doje atë më shumë se gjithçka. Alessia ishte e vetmja jote. Ju ishit ekipi i ëndrrave, i pandashëm. Edhe sot, Alessia thotë në mëngjes kur ngrihet: “Të dua baba Pi” dhe formon një zemër për ty, me duart e saj të vogla.

Ajo dhe ne gjithsesi na mungon. Ne kemi nevojë për ty! Edhe sot kam ndjesinë që je vetëm në pushime dhe do të kthehesh përsëri. Ende nuk mund ta pranoj. Çdo ditë mendoj për ty.  

Na mungon dashuria, fjalët, përqafimet dhe puthjet tua. Babi, të dua me gjithë zemër dhe falënderoj Zotin çdo ditë që më bëri të kisha një baba kaq të mrekullueshëm dhe unik, shpirtin më të bukur që kam takuar! Më mungon pa masë!

Me shumë dashuri,

Vajza jote, Pranvera Shehu