Demokracia në Kosovë para një rreziku serioz
Myzejene Selmani
Demokracia në Kosovë rrezikon të dëmtohet seriozisht, jo vetëm nga ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura, që shkojnë deri te Gjykata Kushtetuese, por edhe nga kërcënimet e hapura që po bëhen ndaj këtyre institucioneve, nëse nuk vendosin në favor të njërës, ose palës tjetër.
Në demokraci, vendimi bazohet në argumente e në prova, jo në dëshira të palëve.
Reagimi i Gjykatës Kushtetuese ndaj ndërhyrjeve të tilla, në prag të shpalljes së vendimit për dekretimin e Presidentit, tregon se sa larg ka shkuar tendenca për t`i shpërfillur institucionet e pavarura.
Për një shoqëri normale, është e kuptueshme se atje ku nuk respektohen këto institucione, atje ku nuk respektohen balancat e pushteteve, nuk mund të flitet për demokraci.
Është normale që ligji, ose një vendim konkret të mos favorizojë të dyja palët, kur ekziston një papajtueshmëri, por ai duhet të respektohet, sepse ndryshe mund të krijohet anarki.
Lëvizjet e ditëve të fundit, përkundër masave kufizuese, rrezikojnë ta shtyjnë Kosovën drejt një kaosi institucional.
Kosovës nuk i duhet kjo. Kosova nuk guxon ta lejojë këtë. Kosova ka nevojë për rend e ligj, për demokraci e për institucione të pavarura.