Dhuratat që dyshohet se morën zyrtarët e arrestuar në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtime në Brezovicë
Prokuroria Themelore e Ferizajt tha se dyshon se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Nikolliq dhe nëntë persona të tjerë u arrestuan të martën nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, bënë të ditur autoritetet në Kosovë.
Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, gjatë një konference për media tha se Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë villa, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e villave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit, ku gjendet edhe Brezovica.
“Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro. Dyshohet se janë disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve”, tha Maloku.
Sipas Malokut, shumica e ndërtesave të ndërtuara janë ndërtuar kundërligjshëm.
Aksioni i koduar “Brezovica”, sipas Prokurorisë në Ferizaj, është zhvilluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës. Sipas autoriteteve, tetë nga të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt dhe dy nga i Prishtinës.
Ndërkaq, Agron Haziri, shef i krimeve të rënda, tha se gjatë bastisjeve janë sekuestruar para të gatshme në vlerë prej mbi 61 mijë eurosh, tetë vetura në vlerë prej 300 mijë eurosh si dhe monedha të ndryshme, përfshirë dollarë, denarë maqedonas, dinarë serbë dhe valuta të tjera. Po ashtu të dyshuarve u janë gjetur edhe pistoleta e pushkë ajrore, si dhe aparate për prodhimin e kriptovalutave.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se autoritetet do të sekuestrojnë përkohësisht të gjitha pronat, përfshirë edhe villat, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje.
Lidhur me arrestimet në Kosovë ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.
Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.
Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe.

