Digjen siguresat dhe orët e rrymës në ndërtesën ku gjendet zyra e KEDS-it, banorët mbesin në terr deri të martën
Pikërisht në ndërtesën në të cilën gjendet zyra kryesore e KEDS-it, në Gjilan, janë djegur sot në mesditë siguresat dhe disa njehsorë të rrymës, raporton Mediafokus.info.
As pas tetë orëve kur ka ndodhur ngjarja, furnizimi me rrymë nuk është rregulluar.
Zëdhënësi i KEDS’it, Viktor Buzhala, ka thënë për Mediafokus.info se janë djegur katër njehsorë dhe se ky problem do të zgjidhet të martën, që nënkupton se banorët aty të mbesin në terr deri nesër.
“Po, është e vërtetë që janë djegur 4 njehsorë. Djegia ka ndodhur në asetet e tyre, domethënë ku është përgjegjësi e tyre, është krijuar mbingarkesë. Por, nesër rregullohet kjo çështje”, ka thënë Buzhala, në një përgjigje për Mediafokus.info.
Ndërkohë, banorët aty janë ankuar se djegia ka ndodhur për shkak se të siguresave të rrymës të vjetruara, të cilat akoma nuk janë zëvendësuar me të rejat nga ana e KEDS.
Kur është pyetur për këtë, zëdhënësi i KEDS’it ka dhënë një përgjigje interesante.
“Paj, tybe si ndërrojna na siguresat veç që janë të vjetra”, ka thënë Buzhala.
Rastin e djegies së njehsorëve të rrymës në këtë ndërtesë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe e ka siguruar ngjarjen. Ndërsa zjarrfikësit janë marrë me rastin. Nuk ka rast policor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, toger Ismet Hashani./Mediafokus.info/

